IMG_5751

06.11.2019, Prishtinë

NP “Termokos” ka prezantuar sot rezultatet përfundimtare të Projektit të parafizibilitetit për energji solare “Energjia solare për Kosovën/ Solaret e mëdha të Prishtinës”.

Ky projekt që është realizuar në saje të bashkëpunimit gjermano-kosovar, nëpërmes Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW) dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), synon të vë themelet e një projekti madhor për integrimin e energjisë së ripërtritshme në sistemin e ngrohjes qendrore në Prishtinë.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti shprehu kënaqësinë e tij, që në vitin 2019 Prishtina po diskuton mundësitë për të siguruar energjinë termike nëpërmes paneleve solare.

“Po të ndërtohej në Kosovë, ky do të ishte projekti i dytë në Evropë pas Danimarkës, ku do të kemi një sistem të tillë të ngrohjes qendrore me panele solare”, theksoi Ahmeti.

Duke folur për ndotjen e madhe të ajrit në Prishtinë nëpërmes ngrohjes individuale të qytetarëve me thëngjill, ai tha se nuk është zgjidhje e problemit nëse atyre u thuhet se do ta ndalojmë shfrytëzimin e thëngjillit, por forma më e mirë do të ishte që krahas ndalimit të thëngjillit t’iu ofrohet atyre ngrohje alternative. Duke e konsideruar këtë si një projekt të jashtëzakonshëm, ai tha se sikur sa i përket kostos ashtu edhe sa u përket benefiteve, ky projekt ja vlen.

Ambasadori Gjerman në Kosovë, Christian Heldt tha se definitivisht “Termokos” është një nga tregimet e suksesit. Duke folur për format e bashkëpunimit, që nga fillimi i realizimit të Projektit të kogjenerimit, që asokohe është parë si vështirë i mundshëm nga skeptikët, ai ka rikujtuar se koha e dëshmoi që ky projekt mund të funksionojë.

“Përgëzoi Komunën e Prishtinës dhe në veçanti “Termokos”-in, i cili po bën përmirësimin e jetës së qytetarëve, funksionimin e komunës si dhe përmirësimin e ambientit”, tha ambasadori Heldt. Ai u shpreh i kënaqur për këtë hap të ri, që ka hedhur përpara “Termokos” në bashkëpunim me BERZH-in dhe KfW-në.

Duke rikujtuar se Projekti i kogjenerimit është një nga projektet më të rëndësishme që është realizuar pas lufte në Kosovë, Kryeshefi Ekzekutiv i NP “Termokos”, Arsim Fetahu theksoi se do të ishte i pamundur realizimi i tij pa ndihmën e donatorëve, të cilët i falënderoi për mbështetjen e ofruar.

“Historia më e re e “Termokos”-it ka filluar me realizimin e projektit të kogjenerimit, i cili duke siguruar ngrohje të mjaftueshme dhe cilësore për gjithë konsumatorët ka pasur ndikim të drejtpërdrejt edhe në përmirësimin e jetës së qytetarëve”, tha Fetahu. Ai ka folur për projektet, që janë duke u realizuar në saje të përkrahjes së donatorëve, të cilët i ka falënderuar për përkrahjen e vazhdueshme.

Neil Taylor, shef i Zyrës së Bankës Evropiane për Rindërtim të Zhvillim në Kosovë, tha se ngrohja qendrore është më efiçente, më e lirë dhe më e pastër se alternativat tjera ngrohëse.

“Ky projekt përfaqëson një mundësi të vogël për eliminimin e përdorimit të thëngjillit për ngrohje”, theksoi Taylor optimist se në bashkëpunim me donatorët tjerë do të shënojnë progres me këtë projekt.

Kënaqësinë e tij, që janë pjesë aktive për hartimin e këtij projekti, e ka shprehur edhe shefi i Zyrës së Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW) në Kosovë, Rene Eschemann. Duke rikujtuar fillet e bashkëpunimit për realizimin e Projektit të kogjenerimit dhe vështirësitë për implementimin e tij, ai tha se sa i përket projektit për energji solare do të ketë nevojë edhe për një bashkëpunim të ngushtë me konsumatorët.

Detaje nga Projekti i parafizibilitetit për energji solare para të pranishmëve ka sjellë Felix Eckert nga “Clean Energy Solutions”. Ai ka paraqitur rezultatet e këtij projekti, që parashihet të realizohet në periudhën kohore prej 3-5 vitesh, për lagjen “Arbëria” dhe “Tophane”. Sigurimi i ngrohjes nëpërmes paneleve solare, përveç që do të sigurojë ngrohje të mjaftueshme dhe cilësore për mijëra konsumatorë të rinj të këtyre dy lagjeve, do të ndikonte që të eliminohej edhe përdorimi i thëngjillit për ngrohje, gjë që muajve të dimrit po përkeqëson dukshëm cilësinë e ajrit për kryeqytetasit.

Foto: Ferdi Limani

Komuna e Prishtinës