Viti 2019 më i suksesshmi në historinë e “Termokos”-it

23.01.2020, Prishtinë

Kryeshefi Ekzekutiv i NP “Termokos” SH.A, z.Arsim Fetahu në konferencën e sotme për media, duke folur për të arriturat vitin 2019 e ka vlerësuar si vitin më të suksesshëm në historinë e ndërmarrjes. Si sukseset më të mëdha të arritura gjatë këtij viti, ai ka veçuar furnizimin me ngrohje të mjaftueshme dhe cilësore për gjithë konsumatorët, rritjen e faturimit, shkallës së inkasimit si dhe uljen e humbjeve të ujit dhe energjisë termike.

“Prodhimi i energjisë termike është rritur për 5 për qind më shumë se vitin 2018, në fakt është më i larti që është realizuar në historinë e ndërmarrjes, ndërsa liferimi i energjisë termike është ngritur për 9.6 për qind, zvogëlimi i humbjeve të ujit 9.2 për qind, humbjet e energjisë termike kanë rënë në shkallën 8.5 për qind. Shkalla e inkasimit është ngritur për 11.48 për qind, ndërsa faturimi 1.64 për qind”, ka numëruar kryeshefi Fetahu disa nga sukseset e arritura.

Nga projektet e realizuara vitin e kaluar, ai ka përmendur projektin për zgjerimin dhe rehabilitimin e rrjetit të ngrohjes, që është duke u realizuar me fondet e Komisionit Evropian, në saje të të cilit janë rekonstruar 50 nënstacione të ngrohjes, ndërsa 27 nënstacione të reja janë realizuar me kyçjen e 200 mijë m/2 sipërfaqe të reja. Në kuadër të këtij projekti më së tepërmi ka përfituar lagjja “Kalabria”, ku 2.500 konsumatorë të rinj me afro 7.500 banorë janë kyçur për herë të parë në rrjetin e ngrohjes, ndërkohë që janë kyçur edhe çerdhja “Buzëqeshja”, shkolla “Naim Frashëri”, Stacioni i Policisë dhe Fakulteti i Arkitekturës.

Kryeshefi Fetahu duke folur për projektet, që do të realizohen gjatë këtij viti, tha se projekti me Komisionin Evropian do të vazhdojë me kyçjen e 23 nënstacioneve të reja në lagjen “Mati 1”, “Ulpiana” dhe “Qendër”. Zgjerimi dhe dendësimi i rrjetit të ngrohjes në lagjen “Ulpiana”, “Qendër” dhe “Mati 1”, ai ka sqaruar se është projekti i radhës me Bankën Gjermane për Zhvillim (KfW), ndërkohë që këtë vit planifikohet të fillojë edhe projekti për vendosjen e matësve të energjisë termike, që do realizohet në bashkëpunim me MCC-në. Ndërkaq, për projektin për energjinë solare termike, i cili ka marrë përkrahje nga KfW, BERZH, Komuna e Prishtinës, Qeveria e Kosovës dhe ZRRE, janë duke u zhvilluar procedurat tenderuese për hartimin e studimit të fizibilitetit. Realizimi i këtij projekti pritet të sigurojë ngrohje për qytetarët e lagjeve “Arbëria” dhe “Tophane”.

Një nga projektet, për të cilin është duke u punuar është edhe ai për dyfishimin e kapaciteteve, që po ashtu pritet të realizohet me fondet e donatorëve ndërkombëtar.

“Me realizimin e këtyre projekteve do të arrijmë të mbulojmë rreth 50 për qind të qytetit të Prishtinës, nga rreth 28 për qind sa ka qenë deri më tani mbulueshmëria me ngrohje”, ka theksuar kryeshefi Fetahu.

Përveç tjerash, ai sqaroi se është duke u punuar për fillimin e faturimit nëpërmes kosgiros si dhe janë duke u zhvilluar procedurat për fillimin e ndërtimit të objektit të ri administrativ për “Termokos”-in. Kryeshefi Fetahu ka falënderuar donatorët për ndihmën e pakursyer, që kanë dhënë dhe po vazhdojnë të japin për realizimin e projekteve të “Termokos”-it si dhe mediet për mbështetjen e vazhdueshme.