Brinkhaus e impresionuar me suksesin e “Termokos”-it

 

24.01.2020, Prishtinë

Kryeshefi Ekzekutiv i NP “Termokos” SH.A, z.Arsim Fetahu ka pritur sot znj. Michala Brinkhaus, referente përgjegjëse për Kosovën në Ministrinë për Bashkëpunim Ekonomik në Qeverinë Gjermane, të shoqëruar nga udhëheqësit e Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW) në Prishtinë.

Gjatë kësaj vizite znj. Michaela Brinkhaus ka vizituar stacionin e vjetër për prodhimin e energjisë ngrohëse si dhe stacionin e ri për pranimin e energjisë ngrohëse, i ndërtuar në kuadër të realizimit të Projektit të kogjenerimit me fondet e donatorëve ndërkombëtar, ku Qeveria Gjermane ka dhënë kontribut të pakursyer.

Kryeshefi Fetahu duke falënderuar Qeverinë Gjermane për përkrahjen e madhe, që u ka dhënë dhe vazhdon t’u japë realizimit të projekteve të ndryshme të ndërmarrjes sonë, ka njoftuar mysafiren nga Gjermania me përparësitë e shumta të Projektit të kogjenerimit në raport me sistemin e vjetër të prodhimit të energjisë ngrohëse nëpërmes shfrytëzimit të mazutit si lëndë e parë për prodhimin e energjisë ngrohëse. Përveç me sigurimin e ngrohjes cilësore dhe të mjaftueshme, ai ka sqaruar se me realizimin e këtij projekti është eliminuar ndotja e ambientit, janë ulur shpenzimet operative për prodhimin e energjisë ngrohëse, ndërkohë që kjo ka ndikuar në ngritjen e performansës së ndërmarrjes në të gjitha aspektet.

Nga ana tjetër, znj. Brinkhaus e impresionuar me të arriturat e ndërmarrjes, ka përgëzuar kryeshefin Fetahu për sukseset e arritura. Ajo është shprehur optimiste se po kaq të suksesshme sikur Projekti i kogjenerimit, do të jenë edhe projektet tjera, që janë duke u realizuar në bashkëpunim të ngushtë në  mes “Termokos”-it dhe Qeverisë Gjermane.

Gjatë vizitës së saj të parë në Kosovë, znj. Brinkhaus ka vizituar edhe kopshtin “Gëzimi ynë”, ku nga drejtoresha Indire Zenelaj është njoftuar për veprimtarinë e këtij kopshti dhe në veçanti me kënaqshmërinë e personelit dhe fëmijëve të akomoduar me shërbimet e ngrohjes të ofruara nga “Termokos”.