NP “Termokos” nënshkruan kontratë për shërbime të mirëmbajtjes dhe riparimeve me NPB-në

04.09.2020, Prishtinë

Kryeshefi Ekzekutiv i NP “Termokos” SH.A, Arsim Fetahu ka nënshkruar sot me Kryeshefin Ekzekutiv të Ndërmarrjes Publike Banesore, Hajdar Hoxhën kontratën për shërbime urgjente të mirëmbajtjes dhe riparimeve në hapësirat publike dhe në hapësirat e ndërmarrjes sonë.

Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje u vlerësua lartë nga kryeshefat e dy ndërmarrjeve, si një formë e re bashkëpunimi, gjë që thellon më tutje bashkëpunimin e shkëlqyer në mes tyre.  

Kryeshefi Fetahu u shpreh i bindur se nënshkrimi i kësaj kontrate, NP “Termokos” do ta ndihmojë në rritjen e efikasitetit të punëve të kryera në rrjetin e ngrohjes në kryeqytet dhe ofrimin e shërbimeve më të mira për konsumatorët tanë.

Në saje të kësaj kontrate, Ndërmarrja Publike Banesore do të kryejë shërbimet urgjente të mirëmbajtjes dhe riparimeve në infrastrukturën rrugore siç janë: sanimi i gropave, punimi i pusetave, shtrimi i kubëzave, anësoreve si dhe mirëmbajtja e nënstacioneve të ngrohjes, gjë që do të realizohet sipas kërkesave dhe nevojave, që do të paraqiten gjatë ekzekutimit të punimeve në teren nga ana e NP “Termokos” SH.A.