Njoftim

Falen borxhet e shërbimit të ngrohjes për muajt mars – prill 2020, për subjektet afariste që nuk janë lejuar të punojnë me vendimin qeveritar në kuadër të luftës ndaj pandemisë

03.12.2020, Prishtinë

Situata me pandeminë ka shkaktuar vështirësi shumë të mëdha financiare në të gjithë sektorët e ekonomisë. Me qëllim për t’iu dalë në ndihmë bizneseve të kryeqytetit, NP “Termokos” SH.A ka vendosur të falen borxhet e shërbimit të ngrohjes për periudhën mars – prill 2020 të gjitha subjekteve afariste, që me vendim qeveritar nuk kanë pasur leje të punojnë.

Për shkak të masave qeveritare për luftimin e pandemisë, një numër shumë i madh i bizneseve e veprimtarive ekonomike nuk e kanë pasur të lejuar të punojnë e për rrjedhojë nuk e kanë shfrytëzuar ngrohjen qendrore për muajt mars dhe prill.  

Komisioni komunal i aksionarëve të ndërmarrjes, në mbledhjen e jashtëzakonshme, ka analizuar kërkesat dhe mundësitë e reagimit. Në të njëjtën mbledhje është marrë vendimi, që t’u falen borxhet e shërbimit të ngrohjes secilit biznes, që sipas vendimit te Qeverisë së Kosovës, nuk e ka pasur të lejuar të punojë. Nga ky vendim nuk do të përfitojnë ato subjekte afariste, të cilat, sipas vendimit qeveritar, e kanë pasur të lejuar operimin. 

Bizneset që kanë kryer pagesën për këtë periudhë (mars-prill 2020), do të kompensohen me vlerën e njëjtë të këtyre faturave për muajt në vijim, ose shuma e tillë do t’u zbritet nga borxhi total i klientit. Falja e borxheve do të bëhet në mënyrë automatike nga administrata e ndërmarrjes, prandaj konsumatorët nuk do të kenë nevojë për aplikim.

 NP “Termokos” SH.A do të vazhdojë të jetë në shërbim të qytetarëve, duke u munduar që të sigurojë shërbime sa më cilësore. Shpresojmë që ta tejkalojmë bashkërisht sa më lehtë këtë situatë ekonomike e sociale, e cila nuk ka qenë e lehtë as për operimin e ndërmarrjes tonë.

Shkarko vendimin:

Shkarko