08.02.2021, Prishtinë
NP “Termokos” SH.A, përveç ngrohjes së mjaftueshme dhe cilësore, që ka ofruar për afro 15 mijë konsumatorë dhe realizimit me sukses të disa projekteve, në saje të performancës së mirë dhe duke u mbështetur në Ligjin për sponzorizim, në fillim të vitit 2020 ka sponsorizuar Klubin e basketbollit “Prishtina” (në konkurrencën e femrave) me 30 mijë euro.
Vargu i sukseseve, që NP “Termokos” ka arritur brenda një viti ka kulmuar edhe me suksesin që ka shënuar mbrëmë Klubi i basketbollit “Prishtina” në konkurrencën e femrave duke fituar Kupën e Kosovës, pasi që ka mposhtur skuadrën “Bashkimi” të Prizrenit me rezultat 75:71.
Kryeshefi Ekzekutiv i NP “Termokos”, Arsim Fetahu ka vizituar Klubin “Prishtina” ku është pritur nga trajneri Fidan Shatri, ndihmës trajneri Lorik Kllokoqi si dhe përgjegjësi i klubit, Granit Hyseni.
Kryeshefi Fetahu duke përgëzuar udhëheqësit e klubit tashmë kampion kosovar në basketboll në konkurrencën e femrave, ka shprehur kënaqësinë e tij për suksesin e arritur.
I lumtur që bashkëpunimi i NP “Termokos” me klubin “Prishtina” është treguar shumë i suksesshëm, ai ka shprehur gatishmërinë për të vazhduar edhe më tutje bashkëpunimin me këtë klub.
Derisa zyrtari kryesor financiar i NP “Termokos”, Ismail Kokaj ka shprehur kënaqësinë e tij, që si ndërmarrje me një kontribut të vogël kanë ofruar mbështetje të madhe për sportin në kategorinë e femrave, trajneri Fidan Shatri është shprehur shumë mirënjohës për ndihmën e ofruar, duke e konsideruar suksesin e arritur si sukses të përbashkët.
