Realizim i suksesshëm i Projektit për rehabilitimin e rrjetit të ngrohjes

22.04.2021, Prishtinë
Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka organizuar sot një ceremoni rasti në përmbyllje të Projektit për rehabilitimin e rrejtit të ngrohjes në Prishtinë, të financuar nga BE, ku është folur për sukseset, që janë arritur në saje të këtij projekti.
Në hapje të kësaj ceremonie orkestri i frymorërve të Filharmonisë së Kosovës ka interpretuar pjesë muzikore klasike. Ndërkaq, Visar Kuçi ka falenderuar të pranishmit në emër të Filharmonisë së Kosovës, për mundësinë që iu është dhënë për tu kyçur në rrjetin e ngrohjes.
Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, ambasadori Tomas Szyoung shprehu kënaqësinë e tij për mundësinë që të kremtojmë përmbylljen e suksesshme të këtij projekti në ditën, kur është duke u shënuar edhe Dita e Tokës.
“Qëllimi i realizimit të këtij projekti ishte përmirësimi i jetës së qytetarëve”, tha ai i kënaqur, që nëpërmes këtij projekti kanë përfituar shumë qytetarë, institucione publike, kulturore, përfshirë këtu edhe ndërtesën e Filharmonisë së Kosovës, ku po mbahej kjo ceremoni rasti.
Ambasadori Szyoung rikujtoi se BE ka shpenzuar rreth 6 milion euro për këtë projekt, pa harruar edhe investimet në të kaluarën, siç ishte ai për Projektin e kogjenerimit. Sipas tij, BE do të vazhdojë mbështetjen e projekteve tjera, që kanë të bëjnë me energjinë e pastër dhe të ripërtritshme.
Ndërkaq, Kryeshefi Ekzekutiv i NP “Termokos”, Arsim Fetahu tha se bashkëpunimi i “Termokosit” me BE-në daton qysh moti dhe një nga projektet më të rëndësishme në Kosovë është Projekti i kogjenerimit , i cili është realizuar në bashkëpunim me BE-në
Duke folur për përparësitë e këtij projekti, Kryeshefi Fetahu rikujtoi se nëpërmes këtij projekti janë rehabilituar 171 nënstacione, të cilat janë modernizuar dhe monitorohen nga distanca. Ai ka falenderuar BE-në për këtë investim, që ka pasur ndikim të shumfishtë në jetën e qytetarëve të Prishtinës, për të cilët përveç sigurimit të ngrohjes cilësore dhe të mjaftueshme dhe me kosto shumë më të ulët se të gjitha alterantivat tjera, kjo ka pasur impakt edhe në një ambient më të pastër.
Ndërkaq, duke numëruar sukseset, që janë realizuar në kuadër të këtij projekti për zgjerimin e rrjetit të ngrohjes, Fetahu tha se janë kyçur 48 objekte banesore, institucionale dhe afariste me 2.271 konsumatorë me rreth 250.000 m/2 sipërfaqe ngrohëse apo rreth 20 për qind më shumë se sipërfaqe, se ajo që është ngrohur para fillimit të këtij projekti.
Prej këtyre objekteve: 27 objekte të reja banesore janë kyçur në lagjen “Kalabria”, 4 objekte në lagjen ‘’Mati 1’’ dhe 5 objekte të vjetra banesore në lagjen “Ulpiana’’. Nga 11 objektet institucionale, që janë kyçur në rrjetin e ngrohjes në kuadër të këtij projekti si; shkollat ‘’Meto Bajraktari” dhe ‘’Naim Frashëri”, Fakulteti i Arkitekturës, Ministria e Kulturës, Teatri Kombëtar, Filharmonia e Kosovës, Doganat e Kosovës, Prokuroria Speciale, objekti i Policisë, Kryeshefi Fetahu ka veçuar çerdhet e fëmijëve ‘’Xixëllonja’’ dhe ‘’Buzëqeshja’’, i lumtur që nëpërmes këtij projekti ua kanë kthyer buzëqeshjen vogëlushëve të këtyre dy kopshteve, që tashmë kanë ambiente më të ngrohta.
“Përmes këtij projekti, konsumatorët e rinjë kanë përfituar ngrohje shumë më të mirë dhe me kosto më të ulët në krahasim me ngrohjen me lëndë djegëse (naftë, dru, thëngjill) apo energji elektrike”, theksoi ai.
Për realizimin e këtij projekti, Kryeshefi Fetahu është falenderuar drejtpërdrejt edhe nga ministrja e Ekonomisë, Artana Rizvanolli. Ajo tha se pa lënë anash impaktin, që ka pasur relaizimi i tij për konsumatorët e “Termokos”, ju falenderoj juve që keni mundësuar realizimin e këtij projekti kaq të rëndësishëm.
Në këtë ceremoni u prezantuan edhe rezultatet e një sondazhi të realizuar me mbi 1 mijë respondentë të qytetit të Prishtinës, ku pjesa dërmuese e tyre janë shprehur shumë të kënaqur me mundësinë, që iu është dhënë për tu kyçur në rrjetin e ngrohjes, mbi 90 për qind prej tyre kanë deklaruar se janë shumë të kënaqur me shërbimet e ofruara të ngrohjes, mbi 95 për qind ka deklaruar se do t ua rekomandonin edhe të tjerëve që të kyçeshin në rrjetin e ngrohjes, ndërsa mbi 91 për qind prej respondentëve e konsiderojnë si shumë të qëlluar investimin e BE- së në këtë projekt.