07.07.2021, Prishtinë

Kryeshefi Ekzekutiv i NP “Termokos” Sh.A, Arsim Fetahu me bashkëpunëtorë, ka pritur sot në takim ambasadoren e Luksemburgut në Kosovë, Natasha Gomes, si dhe përfaqësuesit e Qeverisë së Luksemburgut,  Steve Engel e Mil Miller.

Kryeshefi Fetahu ka falenderuar Qeverinë e Luksemburgut për përkrahjen e vazhdueshme, që ka dhënë për Projektin e kogjenerimit dhe projektet tjera të ndërmarrjes.

Periudhën e funksionimit të NP “Termokos” ai e ka ndarë në dy etapa, atë të para kogjenerimit me më pak ngrohje e shumë probleme të furnizimit si dhe etapën pas realizimit të kogjenerimit, me ngrohje të vazhdueshme dhe cilësore, me projekte të ndryshme e të suksesshme, që janë realizuar e po vazhdojnë të realizohen falë edhe përkrahjes së donatorëve ndërkombëtarë.  

Ndërkaq, përfaqësuesit e Qeverisë së Luksemburgut u interesuan për mënyrën e bashkëpunimit me donatorët ndërkombëtar, për projektin për zgjerimin e rrjetit të ngrohjes, që është në proces të realizimit, për të cilin Qeveria e Luksemburgut ka ndarë 2.5 milion euro.

Për bashkëpunimin në mes donatorëve dhe “Termokosit”, që është realizuar nëpërmes KfW-së, ata u njoftuan detajisht edhe nga Ganimete Huruglica, zëvendësdrejtoreshë e Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW) në Kosovë. 

Në mes tjerash, kryeshefi Fetahu ka njoftuar mysafirët edhe për mundësitë dhe përparësitë e projekteve, që janë duke u realizuar, kënaqshmërinë  e konsumatorëve me shërbimet e ngrohjes, shkallën e inkasimit etj.

Mysafirët nga Luksemburgu vizituan edhe stacionin e ri për pranimin e ngrohjes nëpërmes kogjenerimit si dhe stacionin e vjetër për prodhimin e energjisë ngrohëse nëpërmes mazutit.

Ata u ndanë të kënaqur me progresin, që është arritur si rezultat i Projektit të kogjenerimit, për të cilin projekt Qeveria e Luksemburgut ka ndarë rreth 1.5 milion euro.