19.08.2021, Prishtinë
Klubi i basketbollit “Prishtina” në konkurrencën e femrave, i cili që nga fundviti 2020 sponzorizohet nga NP “Termokos” Sh.A., ka vazhduar të korrë një varg suksesesh.
Në shenjë mirënjohje dhe respekti për ndihmën, që NP “Termokos” ka dhënë për funksionimin e këtij klubi, udhëheqësit e tij i kanë ndarë një mirënjohje ndërmarrjes, përkatësisht Kryeshefit Ekzekutiv, Arsim Fetahut.
Kryeshefi Fetahu ka shprehur kënaqësinë e tij për sukseset, që ky klub ka vazhduar të arrijë këtë vit, ndërsa trajneri Fidan Shatri është shprehur mirënjohës për ndihmën e ofruar, në saje të së cilës përveç që janë siguruar pagat për 15 pjestaret e klubit, është siguruar edhe funksionimi i tij, si dhe janë shënuar një varg suksesesh.
Pasi që nga fillimi i këtij viti Klubi i basketbollit “Prishtina” në konkurrencën e femrave ka fituar Kupën e Kosovës, në Kampionatin e Kosovës kanë fituar vendin e dytë.
Ndërkaq, ndihmës trajneri Lorik Kllokoqi, rikujtoi se për dallim nga koha para sponzorizimit, kur Klubit “Prishtina” kishin nisur t’i ikin lojtaret në pamundësi për t’i paguar, në saje të stabilitetit financiar, që kanë siguruar, kanë arritur të përzgjedhin lojtaret më të mira. Madje, në saje të performances së shkëlqyer dhe sukseseve të arritura, 5 lojtare të ekipit tanimë janë përfaqësuese edhe të ekipit të “Kosovës”.
Për udhëheqësit e klubit “Prishtina” një sukses tjetër paraqet fakti se tashmë janë ftuar për të marrë pjesë në Ligën Unike të përbashkët Kosovë-Shqipëri.
Nga ana tjetër, Kryeshefi Fetahu i kënaqur, që ka pasur mundësinë të kontribuojë në sponzorizimin e klubit të sukseseve, tha se është i lumtur për gjithë atë që ka dëgjuar nga udhëheqësit e Klubit “Prishtina”, ndërkohë që ka rikonfirmuar vazhdimin e mbështetjes.
Në saje të performancës së mirë dhe duke u mbështetur në Ligjin për sponzorizim, NP “Termokos”, që nga fundi i vitit 2020 ka sponsorizuar Klubin e basketbollit “Prishtina” (në konkurrencën e femrave).