Kënaqshmëria e konsumatorëve me shërbimet e ngrohjes 98.4%

21.04.2022, Prishtinë

Me qëllim të vlerësimit të shkallës së kënaqshmërisë së konsumatorëve tanë dhe në përpjekje të vazhdueshme për përmirësimin e shërbimeve të ofruara, NP “Termokos” SH.A. në bashkëpunim me Fakultetin e Inixhinierisë Mekanike, këto ditë ka realizuar Raportin për hulumtimin e kënaqshmërisë së konsumatorëve, në bazë të cilit kënaqshmëria e konsumatorëve në raport krahasues me raportet e viteve të kaluara ka një rritje progresive të vazhdueshme.

Nga 250 respondetët e intervistuar, të shpërndarë nëpër të gjitha lagjet ku ofrohen shërbimet e ngrohjes: “Qendër”, “Ulpiana”, “Dardania”, “Bregu i diellit” dhe “Kalabria”, në pyetjen se sa janë të kënaqur me shërbimet e ngrohjes, 98.4% e tyre janë shprehur të kënaqur me shërbimin e ofruar, kundrejt 1.6% të të intervistuarëve, që janë deklaruar të pakënaqur me këtë shërbim.

Pjesa dërmuese e respondentëve apo 93.2% janë të kënaqur edhe me faturimin e ngrohjes, ndërsa të pakënaqur janë deklaruar 6.4% e të intervistuarëve. Ndërkaq, sa i përket pyetjes se sa orë brenda 24 orëve kanë reduktime të ngrohjes, 98% e respondentëve janë deklaruar se nuk kanë fare reduktime. Sa i përket pyetjes se sa janë të kënaqur me opsionet e ofruara për pagesën e faturave 88.8% e konsumatorëve tanë janë deklaruar të kënaqur me opsionet e ofruara për pagesë.  

Në pyetjen e cila konsumatorëve u është parashtruar për herë të parë në hulumtimet e zhvilluara deri më tani, se a do t’ishte më e favorshme, që faturimi të bëhet me matës të energjisë termike 92.4% e të intervistuarëve janë deklaruar pozitivisht në favor të kësaj metode, ndërsa 7.6% mendojnë se kjo nuk do të ishte metodë me favorshme faturimi për ta.

Një parametër tjetër i vlerësuar nëpërmes këtij raporti është edhe borxhi, që konsumatorët kanë ndaj ndërmarrjes, gjë që, sipas hulumtimit del se vetëm 39.6% prej konsumatorëve të intervistuar janë deklaruar se i paguajnë me rregull faturat e ngrohjes, ndërsa 60.4% e të intervistuarve kanë deklaruar se kanë fatura të ngrohjes të papaguara.

NP “Termokos” falenderon të gjithë konsumatorët, që kanë shprehur gatishmërinë e tyre për t’iu përgjigjur pozitivisht këtij hulumtimi të zhvilluar, duke na dhënë kështu mundësinë, që të angazhohemi edhe më tepër për ngritjen e cilësisë së shërbimeve tona.