Konsumatorë mundësoni qasjen e ekipeve vlerësuese në banesat tuaja!

11.05.2022, Prishtinë

Ekipet e konzorciumit të kompanive “Enerco LLC & HFC Grupa & Inter Adria” tashmë kanë vizituar një pjesë të konsiderueshme të konsumatorëve të NP “Termokos” SH.A. të lagjes “Ulpiana” për të bërë matjet dhe vlerësimet e domosdoshme të trupave ngrohës (radiatorëve) dhe valvolave termorregulluese.

Kjo është një fazë shumë e rëndësishme e projektit për realizimin e të cilës është i domosdoshëm bashkëpunimi i konsumatorëve tanë. Andaj, lusim të gjithë konsumatorët tanë, që t’i përgjigjen pozitivisht kërkesës së ekipeve punuese dhe t’ua mundësojnë qasjen nëpër banesat e tyre, ngase ky projekt, para së gjithash, është shumë dobiprurës për konsumatorët dhe do t’iu mundësojë atyre, që së shpejti të pajisen me matësit e mençur dhe valvolat termorregulluese falas.

Kjo fazë e matjeve dhe vlerësimit i paraprin fazës së instalimit të matësve të mençur, nëpërmes të cilëve kalkulimi i faturave të ngrohjes do të bëhet sipas shpenzimit, e jo sipas sipërfaqes së banesave të konsumatorëve tanë.

Metoda e re e faturimit, sipas shpenzimit do të jetë më e levërdisshme për gjithë konsumatorët, ngase do të ndikojë në kursimin e buxhetit të tyre familjar, ndërkohë që ata do të kenë mundësinë që të kontrollojnë edhe nga distanca shpenzimet e tyre për ngrohje, përkatësisht t’ua përshtatin temperaturën e ngrohjes kërkesave të tyre. Nëpërmes kësaj forme të kursimit të energjisë ngrohëse NP “Termokos” do të ketë mundësi, që të zgjerojë më tutje rrjetin e ngrohjes tek konsumatorë tjerë rinjë.

Për të kryer matjet e nevojshme ekipet do të jenë në lagjen “Ulpiana” edhe gjatë ditës së enjte (12.05.2022), ndërsa që nga dita e premte (13.05.2022) do të vizitojnë konsumatorët e lagjes “Bregu i diellit”.

Matjet dhe vlerësimet, që po kryhen këto ditë në “Ulpianë” dhe do të vazhdojnë edhe nëpër lagjet tjera, janë një nga fazat e implementimit të projektit “Prishtina Heat Save”, i cili është financuar nga Qeveria amerikane, nëpërmes Millenium Challenge Corporation (MCC).