- 10 Qershor, 2022
- Posted by: Aferdita Uka
- Category: Lajme

10.06.2022, Prishtinë
Kryeshefi Ekzekutiv i NP “Termokos” SH.A., Arsim Fetahu me menaxhamentin e ndërmarrjes, ka pritur dje për vizitë Jessica Lin- Powers, drejtoreshë për energji nga Millennium Challenge Corporation (MCC), si dhe Drita Deskun e Burim Hashanin nga Millennium Foundation Kosova (MFK).
Kryeshefi Fetahu ka shprehur mirënjohjen e tij të thellë për gjithë ndihmën e ofruar nga SHBA-të për vendin tonë, e në veçanti për donacionin e dedikuar për vendosjen e matësve të energjisë termike dhe valvolave termorregulluese për rreth 16 mijë konsumatorët tanë.
Ai tha se gjithë konsumatorët tanë janë shumë të entuziazmuar për realizimin projektit “Prishtina Heat Save”, ashtu sikur edhe gjithë stafi i NP “Termokos”, për modernizimin e shërbimeve tona dhe krijimin e mundësive të reja për konsumatorët tanë, që të faturohen për aq sa shpenzojnë energji ngrohëse.
Nga ana tjetër, Jessica Lin- Powers nga MCC u interesua për kapacitetet e ndërmarrjes si dhe për mënyrat e një koordinimi sa më të mirë për realizimin e suksesshëm të këtij projekti.
Fetahu dhe Lin- Powers shqyrtuan mundësitë për intensifikimin e bashkëpunimit në mes partenerëve implementues të këtij projekti.
Projekti “Prishtina Heat Save” është financuar me 11 milion dollarë nga Qeveria amerikane, nëpërmes MCC-së. Ky projekt do të mundësojë modernizimin e shërbimeve të NP “Termokos”, përkatësisht ndryshimin e mënyrës së faturimit, nga ajo sipas sipërfaqes ngrohëse në faturimin sipas konsumit. Kjo metodë do të jetë shumë më e levërdisshme për konsumatorët, ngase ata do të pajisen me matës të mençur të energjisë termike dhe valvola termorregulluese, gjë që do t’iu mundësojë, që nëpërmes kursimit të energjisë termike të kursejnë edhe buxhetin e tyre familjar. Ndërkaq, NP “Termokos” me energjinë e kursyer nga konsumatorët do të ketë mundësinë, që të zgjerojë rrjetin e ngrohjes tek lagje tjera të kryeqytetit.