U nënshkrua marrëveshja për bashkëpunim me BEI

 

17.06.2022, Prishtinë

Kryeshefi Ekzekutiv i NP “Termokos” SH.A., Arsim Fetahu dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati nëshkruan sot marrëveshjen e bashkëpunimit me Konstantinos Mastrogiannopoulos, zyrtar i lartë i Bankës Evropiane për Investime (BEI), e cila do të financojë studimin paraprak për projektin e dyfishimit të kapaciteteve të energjisë ngrohëse.

Ministri Murati, duke vlerësuar lartë bashkëpunimin e mirë që Kosova ka me BEI, si një nga partnerët kyç për të avancuar reformën e sistemit të energjisë dhe agjendën e gjelbër në përgjithësi, tha se e kjo marrëveshje është e një rëndësie të veçantë.

“Rritja e efikasitetit të sistemit të ngrohjes dhe zgjerimi i saj do ta bëjnë më të përballueshme dhe më kualitative jetën e qytetarëve, sidomos gjatë muajve të dimrit, duke ulur edhe ndotjen, që i shkaktohet ambientit nga përdorimi i lëndëve djegëse për ngrohje”, theksoi ministri Murati.

Duke pasur parasysh nevojën dhe kërkesën e qyetarëve të Prishtinës për ngrohje, Kryeshefi Ekzekutiv Arsim Fetahu e ka vlerësuar si shumë të rëndësishme nënshkrimin e kësaj marrëveshje.

“Kjo marrëveshje hap rrugën për kyçjen në rrjetin e ngrohjes të shumë objekteve banesore të ndërtuara dekada më parë, ashtu sikur edhe ndërtesat e reja, të cilave do t’iu mundësohet ngrohje kualitative me çmim të arsyeshëm dhe pa ndotje të ambientit”, tha kryeshefi Fetahu.

Ndërkaq, Konstantinos Mastrogiannopoulos nga Banka Evropiane për Investime, ka shprehur kënaqësinë e tij, që kjo marrëveshje do të ketë ndikim në dekarbonizimin e sistemit të ngrohjes, si një nga parakushtet e anëtarësimit të Kosovës në BE. BEI ka ndarë një grant në vlerë të 1.5 milion eurove, që do të shërbejë për financimin e studimeve paraprake të nevojshme për fillimin e fazës së dizajnit detal dhe implementimit të zgjerimit të rrjetit të ngrohjes në kryeqytet

Nënshrkimi i kësaj marrëveshje është hapi i parë në drejtim të realizimit të njërit nga projektet më të mëdha, që NP “Termokos” planifikon t’i realizojë në të ardhmen, i cili do të mundësojë zgjerimin masiv të rrjetit të ngrohjes për një pjesë të madhe të qytetarëve të Prishtinës, të cilët ende nuk janë të kyçur në rrjetin e ngrohjes.

Përveç, sigurimit të ngrohjes për mijëra konsumatorë të rinjë, realizimi i projektit për dyfishimin e kapaciteteve llogaritet se do të ndikojë edhe në eliminimin e ndotjes së ajrit në kryeqytet, si pasojë e shfrytëzimit të alternativave tjera ngrohëse gjatë sezonëz së dimrit.