- 28 Shtator, 2022
- Posted by: Aferdita Uka
- Category: Lajme

28.09.2022, Prishtinë
Kryeshefi Ekzekutiv i NP “Termokos” SH.A., Fisnik Osmani ka pritur sot në takim një delagacion të lartë nga Millennium Challenge Corporation (MCC), i prirë nga Kevin Mitchell, drejtor menaxhues i MCC, i shoqëruar edhe nga udhëheqësit e Millennium Foundation Kosovo (MFK).
Kryeshefi Ekzekutiv, Fisnik Osmani duke shprehur kënaqësinë e tij për realizimin e projektit “Prishtina Heat Save”, tha se kanë ofruar mbështetjen e plotë për realizimin e tij.
“Termokos” është në një fazë shumë të rëndësishme zhvillimi edhe në saje të investimeve të shumta, që po i merr. Projekti “Prishtina Heat Save”, që është produkt dhe financim i MCC-së dhe MFK-së po i jep dimension tjetër energjisë termike, funksionimit të saj dhe natyrisht jetës së qytetarëve të Prishtinës”, tha kryeshefi Osmani. Ai ka rikujtuar se nëpërmes këtij projekti qytetarët do të kenë mundësi të kontrollojnë shpenzimet e tyre për ngrohje, dhe duke kursyer energjinë do të pagujanë më pak pas realizimit të këtij projekti.
Kryeshefi Osmani uroi, që ky projekt të vazhdojë më tutje me përfshirjen e gjithë konsumatorëve paralelisht me zgjerimin e rrjetit të ngrohjes, që është duke realizuar ndërmarrja.
Ndërkaq, Kevin Mitchell, drejtor menaxhues i MCC-së, tha se kjo është një vizitë në kuadër të aktiviteteve të MCC-së për të parë nga afër investimet e kësaj korporate, për të realizuar një përmbledhje dhe për t’u siguruar për vijueshmërinë e realizimit të projekteve.
“Kemi ardhur këtu, që ta takohemi me përfaqësues të “Termokosit”, që të finalizojmë këto marrëveshje dhe plane, në mënyrë që paratë e investuara nga populli amerikan të mund të përdoren nga qytetarët e Prishtinës”, tha Mitchell i kënaqur me progresin e arritur dhe me faktin se nga këto investime do të përfitojnë qytetarët e Kosovës.
Nga ana tjetër, Petrit Selimi, drejtor ekzekutiv i MFK-së, tha se nga dimri i ardhshëm konsumatorët e “Termokos” do të kenë mundësi, që të kontrollojnë shpenzimet për ngrohje.
“Për shumë vite nëse ka qenë ngrohtë në banesat e Prishtinës, njerëzit i kanë hapur dritaret, ndërsa me instalimin e matësve, valvulave, 17.500 banesa në Prishtinë do të kenë mundësi që koston ta kontrollojnë vet nga dimri i ardhshëm”, tha ai, duke sqaruar se me këtë projekt do të modernizohen shërbimet e “Termokos”, ndërkohë që do të kenë benifite edhe qytetarët, duke paguar vetëm aq sa shpenzojnë.
Në kuadër të projektit “Prishtina Heat Save” të financuar nga Qeveria amerikane nëpërmes MCC-së, planifikohet që në trupat ngrohës të gjithë konsumatorëve të NP “Termokos” të instalohen valvolat termostatike, termokokat dhe alokatorët e energjisë, gjë do të mundësojë ndryshimin e mënyrës së faturimit nga ajo me m/2 në kalkulimin sipas konsumit.
Kjo metodë e re faturimi krahas kursimit të buxhetit familjar të konsumatorëve tanë, njëkohësisht do të krijojë mundësi edhe për kursimin e energjisë termike, e cila me projektet e ardhshme do të mundësojë përfshirjen në rrjetin e ngrohjes të konsumatorëve tjerë të rinjë.