Kryeshefi Osmani inspekton vendosjen e nënstacioneve në “Mati 1”

 

06.10.2022, Prishtinë

Kryeshefi Ekzekutiv i NP “Termokos”, z.Fisnik Osmani, sot ka inspektuar procesin e instalimit dhe kompletimin të nënstacioneve të ngrohjes në lagjen “Mati 1”.

Fillimisht, Kryeshefi Osmani ka vizituar nënstacionin e shkollës “Pavarësia”, i cili është në fazën e kompletimit me të gjitha pajisjet e nevojshme, para se të fillojë furnizimi me ngrohje për 1.800 nxënës të kësaj shkolle, me një sipërfaqe totale prej rreth 2 mijë metra katrorë.

Nga kompania konsulente e Projektit për zgjerimin dhe rehabilitimin e rrjetit të ngrohjes, z. Osmani u njoftua për ecurinë e përgatitjes së këtij nënstacioni dhe dhjetëra të tjerave, për të cilat do të fillojë furnizimi me ngrohje gjatë sezonit ngrohës 2022/2023.

Kryeshefi Osmani u shpreh i kënaqur, që NP “Termokos”do të ketë mundësinë që nga ky sezon ngrohës të fillojë furnizimin me ngrohje të mjaftueshme dhe cilësore për nxënësit dhe personelin e shkollës “Pavarësia”, për ngrohjen e të cilit objekt deri më tani janë shpenzuar mbi 30 mijë litra naftë për një sezon.

Gjatë këtij inspektimi, Kryeshefi Osmani ka vizituar edhe disa nënstacione të objekteve banesore, ndërkohë që ka kërkuar intensifikimin e kompletimit të tyre me pajisjet përcjellëse, në mënyrë që ato të jenë të gatshme sa më parë për të furnizuar me ngrohje rreth 4 mijë konsumatorë të kësaj lagjeje.