Delegacioni nga BERZH vizitoi parcelën e destinuar për “Solar 4 Kosovo”

 

06.10.2022, Prishtinë

Kryeshefi Ekzekutiv i NP “Termokos”, z.Fisnik Osmani së bashku me nënkryetarin e Komunës së Prishtinës, z. Alban Zogaj, sot ka mirëpritur znj. Nandita Parshad, drejtoreshë menaxhuese e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) me bashkëpunëtorë.

Në fokus të kësaj vizite ka qenë parcela e destinuar për Projektin “Solar 4 Kosovo”, në fshatin Shkabaj, në të cilin projekt BERZH do të jetë bashkëfinancuese.

Znj. Parshad u interesua për detajet e këtij projekti dhe mundësitë, që ofron kjo parcelë për vendosjen e paneleve solare në një hapësirë prej 69 mijë metra katrorë.

Kryeshefi Osmani ka thënë se ky është një projekt shumë i rëndësishëm për NP “Termokos”, i cili mundëson rritjen e kapacitetit termik të ndërmarrjes si dhe zgjerimin e mëtutjeshëm të rrjetit të ngrohjes nëpër lagje tjera të kryeqytetit.

Si një nga projektet më të mëdha në fushën e energjisë solare në Evropë, “Solar 4 Kosovo” do të ketë mundësinë e integrimit të dy sistemeve: të energjisë solare me atë të kogjenerimit. Nëpërmes vendosjes së paneleve solare në një hapësirë prej 58 mijë metrave katrorë do të rriten kapacitetet për 50 MW për të furnizuar me ngrohje edhe 12 mijë konsumatorë të rinjë.

Në kuadër të projektit “Solar 4 Kosovo” planifikohet ndërtimi edhe i një rezervuari të energjisë ngrohëse me një kapacitet prej 400 mijë metra kub.

Fondet për realizimin e këtij projekti në vlerë të 64 milion eurove janë siguruar nga donatorët ndërkombëtar, 26 milion prej të cilave grant nga Qeveria gjermane, ndërsa pjesa tjetër do të jenë bashkëfinancim në mes Qeverisë gjermane dhe BERZH-it.