Përurohet furnizimi me ngrohje për shkollën “Pavarësia”

02.11.2022, Prishtinë

Kryetari i Komunës së Prishtinës, z. Përparim Rama dhe Kryeshefi Ekzekutiv i NP “Termokos” SH.A., z.Fisnik Osmani kanë përuruar furnizimin me ngrohje për shkollën “Pavarësia” në lagjen “Mati 1”.

Kryetari Rama shprehu kënaqësinë e tij për faktin se tani shkolla “Pavarësia” ka filluar të furnizohet me ngrohje të mjaftueshme dhe cilësore. Ai shprehu bindjen e tij, se shërbimet e mira të ngrohjes do të jenë një ndihmesë e madhe për nxënësit dhe gjithë stafin e shkollës, gjë që do të ndikojë edhe në ngritjen e cilësisë së kushteve të shkollës.

Kryeshefi Ekzekutiv, z.Fisnik Osmani ka njoftuar kryetarin Rama se fillimi i furnizimit me ngrohje për objektin e shkollës është trajtuar me prioritet të lartë dhe rrjeti primar i ngrohjes, nënstacioni e gjithë parapërgatitjet për fillimin e furnizimit me ngrohje janë realizuar para afatit të planifikuar.

Kryeshefi Osmani ka sqaruar se kapaciteti termik në dispozicion për shkollën “Pavarësia” është i mjaftueshëm për të ofruar ngrohje edhe për ankesin e shkollës, që pritet të ndërtohet.

Mirënjohës për fillimin e furnizimit me ngrohje është shprehur edhe drejtori i shkollës “Pavarësia”, Shefki Rusinovci, i cili ka falenderuar të gjithë ata, që janë angazhuar dhe kanë punuar për realizimin e kyçjes në rrjetin e ngrohjes për këtë shkollë.

Shkolla “Pavarësia” me 1.800 nxënës dhe mbi 3 mijë metra katrorë, është pjesë e Projektit për zgjerimin dhe rehabilitimin e rrjetit të ngrohjes, të financuar nga Qeveria gjermane dhe Qeveria e Luksemburgut, nëpërmes Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW), me bashkëfinancim nga Komuna e Prishtinës dhe NP “Termokos”.

Përveç, objektit të shkollës, në kuadër të këtij projekti në rrjetin e ngrohjes do të kyçen edhe 141 objekte banesore të lagjes “Mati 1”, për disa prej të cilave tashmë ka filluar furnizimi me ngrohje, ndërsa pjesa tjetër e objekteve do të kyçen gradualisht varësisht nga kompletimi i tyre me pjesën e rrjetit sekondar dhe me nënstacionet e ngrohjes.