- 23 Nëntor, 2022
- Posted by: Aferdita Uka
- Category: Lajme

23.11.2022, Prishtinë
Kryeshefi Ekzekutiv i NP “Termokos” SH.A., z. Fisnik Osmani i shoqëruar nga përfaqësues të Fondacionit të Mileniumit të Kosovës (MFK), ka inspektuar sot procesin e punës gjatë instalimit të matësve të ngrohjes në disa banesa në lagjen “Dardania”.
Kryshefi Osmani u njoftua nga ekipet punëkryese me gjithë procedurën e punës për instalimin e matësve të energjisë termike, termokokave dhe valvolave termostatike. Ai u nda i kënaqur me realizimin e suksesshëm të këtij projekti.
“Ajo çfarë është më e rëndësishme është se ka një pritje shumë të mirë prej qytetarëve të Prishtinës dhe definitivisht është kuptuar rëndësia e këtij projekti. Deri më sot kemi arritur diku mbi 9.500 njësi banesore të instalohen këto pajisje, në të gjitha lagjet e Prishtinës. Me njësi matëse kemi shkuar diku rreth 35 mijë njësi të matësve të energjisë. Në tërësi afër 60 për qind e projektit është realizuar”, theksoi kryeshefi Osmani, duke rikujtuar se jemi brenda afatit kohor të planifikuar.
Ndërkaq, Burim Hashani drejtor i programit për energji në MFK, tha se energjia termike, që do të kursehet nëpërmes këtij projekti, do të përdoret nga “Termokos” për zgjerimin e rrjetit të ngrohjes në lagjet tjera. Ai u shpreh i bindur se me fillimin e realizimit të projektit “Prishtina Heat Save”, kanë filluar të ndryshojnë edhe shprehitë e shfrytëzimit me racional të energjisë termike.
Drita Desku, specialiste për energji në MFK, tha se beson që edhe me ZRRE-në do të arrijnë krijojnë një tarifë të përshtatshme për konsumatorët për inkurajimin e përdorimit të energjisë termike.