- 1 Dhjetor, 2022
- Posted by: Aferdita Uka
- Category: Lajme

01.12. 2022 Prishtinë
Kryeshefi Ekzekutiv i NP “Termokos” SH.A., z.Fisnik Osmani me bashkëpunëtorë, ka pritur sot në takim përfaqësuesit e konzorciumit “ERI-ITA”, të udhëhequr nga z.Sancho Ramhorst, i cili konzorcium do të jetë konsulentë i Projektit për dyfishimin e kapaciteteve dhe dekarbonizimin e sistemit të ngrohjes, që do të financohet nga Banka Evropiane për Investime (BEI) dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).
Në takim u diskuta për kordinimin e aktiviteteve për realizimin e Projektit për dyfishimin e kapaciteteve të energjisë termike. Realizimi i këtij projekti do të krijojë mundësinë, që kapaciteti aktual termik që NP “Termokos” mund të marrë nga KEK-u, nga 140 MWth të dyfishohet në 280 MWth.
Aktualisht është duke u realizuar studimi paraprak, i cili do t’i hapë rrugë realizimit të këtij projekti kapital, që do të mundësojë zgjerimin e mëtutjeshëm të rrjetit të ngrohjes, gjë që do të ndikojë në uljen e konsumit të energjisë elektrike si dhe në uljen e ndotjes së ajrit si pasojë e shfrytëzimit të alternativave tjera ngrohëse.