Delegacioni gjerman vizitoi parcelën e “Solar 4 Kosovo”

07.12.2022, Prishtinë

Kryeshefi Ekzekutiv i NP “Termokos” SH.A., z.Fisnik Osmani dhe nënkryetari i Komunës së Prishtinës, z. Alban Zogaj me bashkëpunëtorë, kanë mirëpritur sot për vizitë një delegacion të lartë nga Qeveria Gjermane, të udhëhequr nga znj. Heike Backofen- Warnecke, shefe e Divizonit për Evropën Juglindore dhe Lindore, Kaukazi Jugor, në Ministrinë Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, znj. Michaela Brinkhaus, z. Moritz Reme, drejtor i zyrës së KfW-së si dhe zyrtarë tjerë të KfW-së. 

Kryeshefi Osmani gjatë vizitës së realizuar tek parcela, që është dedikuar për projektin me energji diellore “Solar 4 Kosovo”, ka njoftuar delegacionin gjerman për rëndësinë e madhe, që ka realizimi i këtij projekti për NP “Termokos” dhe përfitimet e shumëta, që do të kenë konsumatorët si rezultat i këtij projekti.

Qeveria gjermane është një nga mbështetëset më të mëdha të projekteve për NP “Termokos”, që janë realizuar që nga Projekti i kogjenerimit dhe projekteve tjera në vazhdimësi për zgjerimin dhe rehabilitimin e rrjetit të ngrohjes, ndërkohë që ka shprehur gatishmërinë për të mbështetur edhe realizimin e projektit “Solar 4 Kosovo”.