- 20 Dhjetor, 2022
- Posted by: Aferdita Uka
- Category: Lajme

20.12.2022, Prishtinë
Kryeshefi Ekzekutiv i NP “Termokos”, z. Fisnik Osmani, ambasadori i BE-së në Kosovë, z.Tomas Szyong, Ministri i Financave, z. Hekuran Murati, zëvendësambasadori gjerman në Kosovë, z. Mathias Conrad dhe drejtoresha menaxhuese e BERZH-it për Evropën Qendrore dhe Juglindore, znj. Charlotte Ruhe, kanë nënshkruar sot marrëveshjen e huasë dhe grantit për Projektin “Solar 4 Kosovo”.
Ministri i Financave z. Hekuran Murati ka thënë se ky projekt përveç që do të sigurojë qasjen në sistemin e ngrohjes qendrore për rreth 38 mijë qytetarë, gjë që do të zëvendësojë sistemet individuale të ngrohjes, do të ndikojë edhe në eliminimin e ndotjes së ajrit në Prishtinë.
Ambasadori i BE-së në Kosovë, z. Tomas Szunyog, ka shprehur kënaqësinë e tij, që nëpërmes këtij investimi BE-ja do të vazhdojë mbështetjen në tranzicionin energjetik dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Kosovës përmes projektit për energji diellore prej 100 MW me KEK-un.
Krenar me vazhdimin e mbështetjes nga ana e Qeverisë gjermane për arritjen e përmbushjes së qëllimit të përbashkët për sigurimin e energjisë së qëndrueshme për Kosovën, është shprehur edhe zëvendësambasadori gjerman në Kosovë, z.Mathias Conrad. Ai rikujtoji se falë këtij projekti pionier shumë familje në Prishtinë do të ndalojnë djegijen e qymyrit dhe drurit për të ngrohur shtëpitë e tyre, gjë që do të ndikojë edhe në cilësinë e ajrit.
Projektin “Solar 4 Kosovo”, drejtoresha menaxhuese e BERZH-it për Evropën Qendrore dhe Juglindore, znj. Charlotte Ruhe e ka cilësuar si një tjetër investim të madh në Prishtinë, në kuadër të qyteteve të gjelbërta të BERZH-it.
Projekti në vlerë të 80 milion eurove nëpërmes paneleve solare do të sigurojë ngrohje për një pjesë të lagjes “Arbëria” dhe “Tophane”.
Realizimi i Projektit “Solar 4 Kosovo” do të financohet nga grantet e Qeverisë Gjermane dhe BE-së nëpërmes Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW) në vlerë të 31.6 milion eurove dhe 21.5 milion eurove, si dhe një kredi e butë nga BERZH-i në vlerë të 23.2 milion eurove.
Për nga kapaciteti ky projekt është një nga impiantet më të mëdhenjë diellor në Evropë dhe i pari në rajon i këtij lloji.