- 9 Mars, 2023
- Posted by: Aferdita Uka
- Category: Lajme

09.03.2023, Prishtinë
Kryetari i Komunës së Prishtinës, z. Përparim Rama, Kryeshefi Ekzekutiv i NP “Termokos” SH.A., z.Fisnik Osmani me z.Sergiy Maslichenko, drejtor për bashkëpunim i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), zyra në Kosovë, kanë nënshkruar marrëveshjen për financimin e projektit “Solar 4 Kosovo”.
Bazuar në këtë marrëveshje BERZH do të financojë me një kredi prej 23.2 milion euro projektin “Solar 4 Kosovo”, i cili do të jetë një nga më të mëdhenjtë në Evropë dhe i pari në rajon, që do të sigurojë kapacitete shtesë termike, nëpërmes shfrytëzimit të energjisë diellore. Nëpërmes vendosjes së paneleve solare në një hapësirë prej 58 mijë metrave katrorë do të rriten kapacitetet për 50 MW për të furnizuar me ngrohje edhe 12 mijë konsumatorë të rinjë.
Realizimi i këtij projekti do të mundësojë zgjerimin e rrjetit të ngrohjes edhe për një pjesë të lagjes “Arbëria” dhe “Tophane”.
Projekti “Solar 4 Kosovo” do të financohet nga grantet e Qeverisë Gjermane dhe BE-së nëpërmes Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW) në vlerë të 31.6 milion eurove dhe 21.5 milion eurove, si dhe një kredi e butë nga BERZH-i në vlerë të 23.2 milion eurove.


