- 12 Prill, 2023
- Posted by: Aferdita Uka
- Category: Lajme

12.04.2023, Prishtinë
Kryeshefi Ekzekutiv i NP “Termokos” SH.A., z.Fisnik Osmani me aksionaren e ndërmarrjes znj. Jeta Rafuna dhe kryesuesin e Bordit të Drejtorëve, z. Visar Vokrri, kanë pritur sot për vizitë kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), z. Lumir Abdixhiku, i shoqëruar nga Visar Azemi dhe Berat Rukiqi.
Kryeshefi Osmani pasi ka falenderuar z. Abdixhiku për vizitën, e ka njoftuar atë me ecurinë e furnizimit me ngrohje për rreth 19 mijë konsumatorë, me projektet kapitale, që janë në proces realizimi si dhe projektet, që NP “Termokos” një nga ndërmarrjet më të suksesshme në vend, së shpejti, do të fillojë së realizuari, siç janë: “Solar4 Kosovo”, projekti për dyfishimin e kapaciteteve etj.
Kryetari Abdixhiku është shprehur tejet i kënaqur me progresin e madh, që ka shënuar ndërmarrja kohëve të fundit. Ai ka shprehur gatishmërinë për të ofruar mbështetje për modernizimin e mëtutjeshëm të ndërmarrjes dhe zgjerimin e rrjetit të ngrohjes në Prishtinë. Më pas vizituan Departamentin e prodhimit, ku kanë parë për së afërmi gjithë procesin e pranimit të energjisë termike si rrjedhojë e sistemit modern të kogjenerimit, shpërndarjen e ngrohjes tek konsumatorët e ndërmarrjes dhe monitorimin e këtij procesi nga distanca.
Duke shprehur kënaqësinë e tij, për zhvillimin dhe modernizimin e ndërmarrjes, gjatë një bashkëbisedimi të afërt me punëtorët e ndërmarrjes, z. Abdixhiku është interesuar edhe për kushtet e punës për gjithë të punësuarit.
Kryeshefi Osmani me z. Abdixhiku kanë vizituar edhe sistemin e vjetër të prodhimit të ngrohjes nëpërmes kaldajave me mazut si dhe kanë monitoruar zhvillimin e punimeve për ndërtimin e dy rezervuareve të ngrohjes.
Në vazhdën e zhvillimit të hovshëm, NP “Termokos” mirëpret të gjithë të interesuarit për veprimtarinë e ndërmarrjes.






