Çka është pëlqimi paraprak energjetik apo pëlqimi parimor?

Pëlqimi paraprak është dokument të cilin e lëshon NP Termokos SH.A., me të cilin tregon, që ka mundësi të kyç objektin në sistemin e ngrohjes qendrore sipas kërkesës së konsumatorit. Në sistemin e ngrohjes qendrore, në bazë të kapaciteteve ekzistuese, të prodhimit të ngrohjes dhe kapaciteteve të instaluara të termopërquesit, mund të kyçen objekte, të cilat janë të parapara në bazë të planit urbanistik të qytetit dhe të cilat ndodhen në pjesët, në të cilat NP Termokos Sh.A, ka të shtrirë rrjetin gypor. Kërkesën për pëlqimin paraprak e bën investitori apo pronari i objektit, me shkrim në Departamentin e Distribuimit në NP Termokos Sh.A, me mbishkrimin “Kërkesë për dhënien e pëlqimit paraprak”.

Kjo kërkesë duhet të përmbaj adresën e objektit, llojin e objektit (destinimin), fuqia instaluese e planifikuar apo sipërfaqja ngrohëse dhe të dhënat e investitorit. Konsumatori gjithashtu, duhet të dorëzoj edhe dokumentacionet vijuese: lejen ndërtimore të lëshuar nga Kuvendi Komunal në Prishtinë, dokumentin e pronësisë, kopjen e planit, dokumentacionin e projektit.

Afati i pëlqimit paraprak është 1 vit nga data e lëshimit.

Çka është fuqia e instaluar?

Fuqia e instaluar është fuqia e trupave ngrohës në objekt, e cila është e definuar në dokumentacionin projektues, në bazë të llogaritjeve paraprake.

Çka është sipërfaqja ngrohëse?

Sipërfaqja ngrohëse është hapësirë e brendshme, në të cilat ka të instaluar trupa ngrohës dhe sipërfaqja e brendshme e cila nuk ka trupa ngrohës por në bazë të dokumentacionit të projektit është e paraparë të ngrohet nga pjesa tjetër e hapësirës.

Çka është pëlqimi energjetik?

Pas dhënies së pëlqimit paraprak, kërkuesi për kyçje duhet të përshtat projektin e instalimeve sekondare, i cili duhet të përfshij të gjitha instalimet sekondare deri në nënstacionin termik. Kërkuesi për kyçje pasi të ketë përfunduar projektin e instalimeve sekondare si dhe pasi të ketë marrë lejen ndërtimore nga KK Prishtinë, mund të dorëzoi kërkesë në NP Termokos Sh.A., për dhënien e pëlqimit energjetik. Kërkesa bëhet me shkrim në Termokos, me titull: “Kërkesë për dhënien e pëlqimit energjetik”. Dokumentacionet e nevojshme për këtë kërkesë janë:

  • projekti i instalimeve sekondare i hartuar, i aprovuar nga kompania e autorizuar për punë të tilla.
  • leja urbanistike si dhe
  • dokumentet e tjera të kërkuara nga pëlqimi paraprak

Pëlqimi energjetik përmban adresën e objektit, llojin e objektit, fuqia ngrohëse e shprehur në KW, të dhënat për dokumentin e projektit, të dhënat teknike për llojin dhe vendin e kyçjes dhe vërejtjet e dokumentacionit të projektit.

Çka është pjesa primare dhe pjesa sekondare e nënstacionit termik?

Pjesa primare e nënstacionit termik, është pjesa e cila bën rregullimin e presionit dhe sasisë së qarkullimit të ujit në drejtim të instalimeve të objektit. Pjesa sekondare e nënstacionit termik, siguron qarkullimin e fluidit ngrohës në të gjitha instalimet sekondare të objekteve.

Çka është ngrohja provuese?

Me rastin e kyçjes së objektit në rrjetin e ngrohjes qendrore, së pari bëhet ngrohja provuese, gjatë së cilës:

  • Investitori-kërkuesi për kyçje duhet t’i eliminoj të gjitha vërejtjet e paraqitura me rastin e lëshimit të ngrohjes provuese në nënstacionin termik, funksionimin e pajisjeve të instaluara, instalimet e brendshme sekondare dhe të gjitha defektet tjera të cilat pengojnë, që të arrihet temperatura e brendshme projektuese në hapësirat ngrohëse;
  • Pas eliminimit të të gjitha atyre pengesave, duhet të bëj testimet termike dhe rregullimin e sistemit në bazë të kushteve dhe standardeve teknike;
  • Ndryshimet në instalimet shtëpiake e posaçërisht atyre të termonënstacionit të dhëna në projektin mbi të cilin është dhënë pëlqimi energjetik, nuk guxojnë të ndodhin pa pajtimin e NP Termokos, Sh.A, dhe çdo ndryshim, i cili bëhet në pajtim me Termokosin, duhet patjetër të paraqitet edhe në dokumentacionin e projektimit, në të cilin NP Termokos, Sh.A, jep pajtim.

Si kalohet në furnizimin e përhershëm me energji ngrohëse?

Konsumatori-kërkuesi për kyçje, bën kërkesë me shkrim në NP Termokos, Sh.A, për furnizim të përhershëm me energji ngrohëse. Komisioni i NP Termokos, Sh.A, me përfaqësuesin e investitorit, kryerësin e punimeve verifikojnë përshtatshmërinë e nënstacionit dhe të instalimeve të ngrohjes për punë normal dhe të sigurt. Gjatë këtij konstatimi, përgatitet procesverbal i veçantë mbi përshtatshmërinë e punës dhe për mbushjen e kushteve për furnizim të përhershëm me ngrohje si dhe pranim-dorëzimin e nënstacionit termik për mirëmbajtje.

Gjatë pranim-dorëzimit, investitori duhet të jep:

  • kopjen e lejes ndërtimore;
  • listat garantuese dhe udhëzimet për punë me pajisjet e instaluara dhe afatin garantues;

Me mbylljen e fazës testuese dhe në bazë të dokumentacioneve të lartcekura, kalohet në furnizimin e përhershëm me energji termike. Nënshkruhet kontrata e furnizimit në mes të NP Termokos, Sh.A., dhe konsumatorit të ri.