Filluan punimet për zgjerimin e rrjetit të ngrohjes

06.05.2021, Prishtinë

Kanë filluar punimet për Projektin për zgjerimin dhe rehabilitimin e rrjetit të ngrohjes, i cili do të realizohet në bashkëpunim me Bankën Gjermane për Zhvillim (KfW).

Zhvillimin e punimeve në teren e ka monitoruar nga afër Kryeshefi Ekzekutiv i NP “Termokos”, Arsim Fetahu. Ai ka shprehur kënaqësinë e tij, për fillimin e punimeve, me shpresën se do të zhvillohen sipas dinamikës së përcaktuar. 

Fillimisht punimet do të zhvillohen nga traseja kryesore e rrjetit të ngrohjes, që shtrihet nga Fakulteti Teknik të drejtim të rrugës “Muharrem Fejza”. Më pas shtrirja e gypave të ngrohjes do të realizohet krahas punimeve, që janë duke u zhvilluar për reahabilitimin e rrugës “Muharrem Fejza”.

Në kuadër të këtij projekti do të kyçen në rrjetin e ngrohjes rreth 50 objekte banesore të lagjes “Mati 1”, disa objekte tek Parku i qytetit, një pjesë e ndërtimeve të reja të lagjes “Arbëria”, shkolla “Pavarësia”, si dhe disa objekte të vjetra banesore të lagjes “Qendër”, “Ulpiana” e “Dardania”. 

Po ashtu, do të ketë intervenime për rehabilitimin e rrjetit të ngrohjes në shumë pozicione, ku në të kaluarën janë evidentuar probleme. 

Për këtë projekt, KfW ka ndarë 10 milion euro, ndërsa gjithë punimet planifikohet të përfundojnë brenda 2 vitesh.