Pyetjet më të shpeshta

Kur fillon dhe kur mbaron sezona e ngrohjes?

Sezoni i ngrohjes fillon më 15 tetor dhe mbaron më 15 prill të vitit vijues. Bazuar në aktet ligjore në fuqi, në varësi të kushteve klimatike, sezoni i ngrohjes mund të shkurtohet ose të zgjatet. Në rast se kushtet klimatike janë të favorshme sezoni ngrohës mund të fillojë pas datës 15 tetor ose të përfundojë para 15 prillit të vitit vijues. Në të kundërtën, në rastet kur temperaturat e ulëta mbretërojnë për tri ditë radhazi para afatit ligjor për fillimin e sezonit ngrohës apo moti i ftohtë vazhdon pas 15 prillit, në bazë të disa parakushteve me aktet ligjore në fuqi lejohet furnizim i jashtëzakonshëm me ngrohje maksimalisht nga data 1 tetor deri më 30 prill.

Pse faturat paguhen vetëm gjashtë muaj. A ka mundësi që të paguhen gjatë 12 muajve?

Në bazë të vendimeve të NP “Termokos” Sh. A. dhe organeve mbikëqyrëse është vendosur, që pagesa për energjinë e shpenzuar ngrohëse të bëhet vetëm për gjashtë muaj, sa zgjat edhe sezoni  i ngrohjes. Në një të ardhme të afërt, NP “Termokos” SH.A, në bashkëpunim me mbikëqyrësit e vet do të shqyrtojë mundësinë e pagesave për shërbimet e ngrohjes edhe gjatë periudhës 12 mujore.

"Cili është orari i ngrohjes dhe në bazë të të cilave kushte funksionon ngrohja pandërprerë?

Që nga fillimi i furnizimit me ngrohje nëpërmes sistemit të kogjenerimit orari i furnizimit me ngrohje për gjithë konsumatorët është 24 orë pa ndërprerje gjatë gjithë sezonit ngrohës.

Si bëhet llogaritja e shpenzimeve për ngrohje dhe si bëhet pagesa?

Llogaritja e shpenzimeve të ngrohjes për konsumatorët e NP “Termokos” Sh.A, bëhet në bazë të sipërfaqes ngrohëse në metra katror. Të dhënat për hapësirën ngrohëse të lokalit banesor sigurohen nga Ndërmarrja Publike Banesore, nga investitori për objekte të reja apo nga vetë konsumatori, duke sjellë kontratën e shitblerjes. Faturimin për shpenzimet e energjisë ngrohëse për konsumatorë e bën Departamenti i furnizimit, në bazë të dhënave, të cilat i ofron Departamenti i distribuimit. Çmimet për shpenzimet e energjisë ngrohëse për konsumator i cakton Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), në bazë të dhënave të cilat ia ofron NP “Termokos”, Sh.A. për shpenzimet operative për prodhimin dhe shpërndarjen e energjisë ngrohëse. Afati i pagesave është 15 ditë pas dërgimit të faturës te konsumatori.

Kush është përgjegjës për mirëmbajtjen e instalimeve sekondare?

Në bazë të ligjit për ngrohje, përgjegjësia ligjore e NP “Termokos” Sh.A., është deri në pikën matëse të nënstacionit termik, gjegjësisht deri te këmbyesi i nxehtësisë në termonënstacion. Për mirëmbajtjen e instalimeve sekondare në objektet e banimit kolektiv do të duhej të kujdesej Këshilli shtëpiak apo kompania e autorizuar për mirëmbajtjen e instalimeve sekondare. Mirëpo, pasi që kompetencat e këshillave shtëpiake apo kompanive të autorizuara për mirëmbajtjen e instalimeve sekondare, nuk janë ende të definuara qartë me ligj, NP “Termokos”, SH.A., ofron shërbime edhe në mirëmbajtje të rrjetit sekondar. Çmimorja për intervenime në rrjetin sekondar është publike dhe e aprovuar nga ZRRE. Për objektet e sektorit afarist, mirëmbajtja e pjesës primare i takon NP “Termokos” Sh.A, kurse mirëmbajtja e instalimeve të brendshme sekondare, i takon pronarit të objektit, i cili duhet të angazhojë kompaninë e autorizuar për mirëmbajtjen e instalimeve sekondare.

Kush është përgjegjës për mirëmbajtjen e instalimeve sekondare në objektet e reja?

Gjatë kyçjes së konsumatorit të ri, apo objekteve të reja, në sistemin e ngrohjes qendrore, konsumatorët kanë të drejtë të zgjedhin instalimet e tyre sekondare me shpenzimet e veta. Kompania, e cila kryen instalimin sekondar është e obliguar, që ato t’i mirëmbaj së paku dy vite. Pas kalimit të këtij afati, NP “Termokos”, Sh.A do të kujdeset për këto instalime deri në zgjidhjen e problemeve të përgjegjësisë për instalimet sekondare.

Kujt t'i dorëzohet ankesa, lidhur me kualitetin e ngrohjes?

Ankesa lidhur me kualitetin e ngrohjes, mund të dorëzohet në zyrën për pranimin e ankesave në NP “Termokos” Sh.A, Rr.28 Nëntori nr.181, ose nëpërmjet numrave telefonik: 038/543-210 dhe 044/ 966-150.

Kujt t'i dorëzohet ankesa lidhur me llogaritjen e shpenzimit të ngrohjes?

Në rast se konsumatorët kanë ankesa për llogaritjen e shpenzimeve të ngrohjes, atëherë ankesën mund ta drejtojnë te Shërbimi për Konsumator në Departamentin e furnizimit, rr. 28 Nëntori, nr.181, Prishtinë.

Kujt duhet drejtuar nëse ka ankesa në punën e ekipeve të NP Termokos, sh.a në terren?

Në qoftë se keni ankesa në sjelljen dhe punën e ekipeve të NP “Termokos” SH.A, në terren, ankesën tuaj mund ta dërgoni përmes tel. 038/543-210, apo me shkrim në adresën NP “Termokos”, SH.A, rr. 28 Nëntori, nr.181, Prishtinë.

Si mund të bëhet ndërrimi i radiatorit dhe valvolave dhe kujt duhet t'i drejtohemi?

Në rast se konsumatori kërkon ndërrimin e radiatorit apo valvolës, kërkesën e tij duhet ta drejtoj në Departamentin e distribuimit, gjegjësisht tek ekipet e caktuara në terren. Ndërrimi i këtyre pajisjeve, bëhet në bazë të çmimores, të cilën e ka aprovuar ZRrE. Ndërrimin e pajisjeve e bëjnë ekipi i punëtorëve të caktuar për punë të tilla. Vlen të ceket se intervenimet e tilla duhet të kryhen gjatë muajve të verës apo gjatë muajve kur “Termokos” nuk është duke furnizuar me ngrohje, në mënyrë që të mos ndërpritet furnizimi i rregullt me ngrohje.

Kush e bën shkyçjen e konsumatorëve dhe rikyçjen e tyre në sistemin e ngrohjes qendrore?

Në bazë të kërkesës së konsumatorit për shkyçje nga sistemi i ngrohjes, NP “Termokos”, Sh.A, e bën shkyçjen e instalimeve sekondare nga rrjeti i ngrohjes qendrore. Po ashtu, në qoftë se, konsumatori kyçet në mënyrë ilegale pa leje, atëherë “Termokos”, do ta shkyç konsumatorin nga sistemi i ngrohjes qendrore. Në këto raste konsumatori do të paguaj për dëmin, të cilin e ka shkaktuar me kyçjen e tij ilegale. Lartësia e pagesës, të cilën konsumatori është i obliguar ta paguaj, është e rregulluar me ligj dhe aktet nënligjore në fuqi. Në qoftë se konsumatori gjatë shkyçjes dëshiron, që prapë të rikyçet, atëherë ai është i obliguar, që të dorëzojë gjithë dokumentacion e nevojshëm dhe të paguaj për shpenzimet e rikyçjes sipas rregulloreve të përgjithshme të furnizimit me energji.

Çka është kyçja ilegale?

Me kyçje ilegale nënkuptohet çdo kyçje e konsumatorit në instalimet primare apo sekondare të ngrohjes pa marrë paraprakisht pëlqimin me shkrim nga NP “Termokos” SH

Si bëhet ndërrimi i emrit të pronarit në hapësirat ngrohëse të lokalit banesor dhe afarist?

Në rastin e shitblerjes së pronës, qoftë lokali banesor apo afarist, pronari i ri ka të drejtë të bëj kërkesë për ndërrimin e emrit të pronarit të vjetër. Në këtë rast, pronari i ri është i obliguar, që të ofrojë kontratën e shitblerjes së hapësirës të verifikuar në gjykatën kompetente. Së bashku me pronarin e vjetër, duhet të bëjnë shlyerjen e borxhit të mbetur në kartelën e konsumatorit të vjetër. Pas përfundimit të kësaj procedure, bëhet ndërrimi i emrit me pronarin e ri dhe nënshkruhet kontrata për furnizim me pronarin e ri.