Rreth Prishtina HeatSave

Sidebar

Kontroll mbi shpenzimet dhe konsumin e ngrohjes për



17,500

konsumatorë të Termokos-it.

shqipviber-200x120

EN  AL   SR

Prishtina HeatSave iu mundëson qytetarëve të Prishtinës, respektivisht, konsumatorëve të TERMOKOS, që për herë të parë të kontrollojnë konsumin dhe shpenzimet e tyre të ngrohjes. Ky projekt mbështetet nga Qeveria Amerikane, përmes agjencisë federale amerikane MCC, në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës.

Rreth 17,500 konsumatorë do të kenë mundësi të paguajnë faturën e ngrohjes, bazuar në konsumin e tyre të energjisë, dhe jo bazuar në sipërfaqen e apartamentit të tyre, siç aktualisht bëjnë. Ky projekt do të mundësojë kursim të energjisë termike në baza individuale, si dhe kontrollë të faturave të tyre të ngrohjes në apartamentet e tyre.

Prishtina HeatSave do të kontribuojë që TERMOKOS-i të bëhet një kompani publike moderne, me sistem dixhital të faturimit, shërbim të lehtë të pagesave, pasqyrë të plotë mbi konsumin dhe shpërndarjen e ngrohjes, si dhe zvogëlim të humbjeve në sistemin sekondar, kështu duke krijuar një sistem më efikas që mund të zgjerohet edhe në lagjet e tjera.

Aktiviteti HeatSave ofron shërbime të avansuara të matjes së energjisë termike për klientët e kyçur në rrjetin e Termokosit, duke përfshirë instalimin e matësve të energjisë termike në apartamente individuale dhe instalimin e valvulave termostatike, me funksion të integruar balancues në radiatorë. Pajisjet për matjen e konsumit të nxehtësisë do të instalohen në rreth 17,500 apartamente, në rreth 300 ndërtesa.

Të gjitha pajisjet e nevojshme, nga rehabilitimi i nënstacioneve deri te instalimi i matësve të nxehtësisë, alokatorëve të kostos së nxehtësisë (HCA) dhe valvulave termostatike (TRV) dhe sistemi i matjes dhe faturimit, janë falas dhe mbështeten nga MFK dhe MCC.

Duke zbatuar matjen e bazuar në konsum, nga HeatSave pritet:

  • Ulja e kërkesës në rrjetin e ngrohjes qendrore;
  • Mbështetja e zgjerimit të shërbimeve të furnizimit me ngrohje për konsumatorët e rinj të cilët perdorin energjinë elektrike për ngrohje;
  • Përmirësimi i shërbimeve për konsumatorët që tashmë banojnë në ndërtesa të kyçura në rrjetin e ngrohjes qendrore; dhe
  • Kalimi i Termokosit në faturim të bazuar në konsum dhe harmonizimi i të ardhurave të tij me kostot dhe shërbimet që i ofron

Fondacioni i Mileniumit i Kosovës (MFK) është subjekti implementues i ‘Marrëveshjes së Pragut’, e arritur midis Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC). Kjo marrëveshje parashikonte mbështetje prej 49 milionë USD për Kosovën, nga të cilat rreth 10 milionë USD u ndanë për Prishtina HeatSave, duke përfshirë hulumtimet teknike, mbikëqyrjen e kontratës, instalimin dhe trajnimet, monitorimin dhe vlerësimin, komunikimin, etj.

Programi i Pragut i MCC-së për Kosovën adreson dy çështje kryesore për zhvillim ekonomik të Kosovës: furnizimin jo të qëndrueshëm me energji elektrike dhe sundimin e dobët të ligjit.

Investimet e MCC-së kanë synim zhvillimin e sektorit të energjisë duke nxitur uljen e konsumit dhe shpenzimeve të energjisë për familjet dhe bizneset, duke inkurajuar masat e efiçiencës së energjisë dhe duke zhvilluar burime të reja të prodhimit të energjisë elektrike.

Dizajni i projektit Prishtina HeatSave bazohet në një studim rigoroz të sistemeve të ngrohjes qendrore në Kosovë, i cili hedh dritë mbi sfidat me të cilat përballen operatorët e ngrohjes qendrore në ruajtjen e profitabilitetit në rrethana të ndryshme.

Objektivi kryesor i Prishtina HeatSave është të mbështesë reduktimin e konsumit të energjisë elektrike të përdorur për ngrohje duke zgjeruar konceptin e matjes së energjisë për ngrohje të bazuar në konsum, në rrjetin e furnizimit me ngrohje qendrore të Termokosit në Prishtinë.

Prishtina HeatSave është e përkushtuar të shqyrtojë të gjitha çështjet dhe ankesat që lindin përgjatë implementimit të projektit, qofshin ato lidhur me punonjësit, procesin e instalimit, produktet, ngacmimit seksual etj. Për të gjitha ankesat në lidhje me procesin e instalimit, kualitetit të produkteve dhe punës së ekipit të Prishtina HeatSave, ju lutem shkruani në: heatsave@termokos.org, ndërsa për të deklaruar raste të ngacmimit seksual, ju lutem shkruani në emailin konfidencial: sh.heatsave@termokos.org.