Kryeshefi Beka vizitoi ekipet e terrenit në “Qendër” dhe “Dardani”  

29.10.2026, Prishtinë

Kryeshefi Ekzekutiv i NP “Termokos” SH.A., z. Bersant Beka së bashku me sekretarin e ndërmarrjes, z.Albaton Bejta, kanë vizituar sot ekipet në terren në dy prej zonave më të mëdha urbane të Prishtinës, që furnizohen me ngrohje nga ndërmarrja jonë, atë të lagjes “Qendër” dhe “Dardania”.

Gjatë vizitës, i shoqëruar nga udhëheqësit e këtyre rajoneve, Kryeshefi Beka u njoftua për ecurinë e zbatimit të Planit aksional, gjendjen e furnizimit me ngrohje dhe angazhimin e ekipeve në terren për tejkalimin e sfidave të paraqitura në ditët e para të sezonit. Gjithashtu u diskutua për shtrirjen e rrjetit të ngrohjes dhe punën e ekipeve për mirëmbajtjen dhe funksionimin e qëndrueshëm të sistemit.

Vëmendje e veçantë iu kushtua kapaciteteve të ekipeve për t’u përballur me situatat emergjente si dhe shpejtësinë e reagimit në rastet, që kërkojnë ndërhyrje në rrjetin dhe sistemin e ngrohjes deri tek stabilizimi i plotë i furnizimit.

Sipas raportimeve të udhëheqësve të këtyre dy rajoneve, gjendja e furnizimit me ngrohje në lagjet “Qendër” dhe “Dardania” është stabile dhe shumë e kënaqshme. Ndërkaq,  ekipet në terren mbeten në gatishmëri të lartë për t’iu përgjigjur kërkesave të konsumatorëve dhe për të siguruar shërbime sa më cilësore gjatë gjithë sezonit ngrohës.  

NP “Termokos” mbetet e përkushtuar në përcjelljen e vazhdueshme të gjendjes në terren dhe në reagimin me kohë ndaj nevojave të konsumatorëve, me qëllim të sigurimit të furnizimit të qëndrueshëm me ngrohje.

Leave a Comment