Informacione kontakti

Orari i zyreve

Para koogjenerimit:

Sistemi i ngrohjes qendrore në Prishtinë i instaluar gjatë viteve të 70-ta, deri në fund vitin 2014 për prodhimin e energjisë ngrohëse ka shfrytëzuar mazutin si lëndë të parë djegëse.

Me një kapacitet prodhimi të ngrohjes prej 116 MW, nëpërmes dy kaldajave dhe me një çmim të mazutit, që rritej dukshëm përgjatë sezonit ngrohës, me një rrjet të stërvjetëruar të ngrohjes, NP “Termokos” nuk arrinte të ofronte ngrohje të mjaftueshme për rreth 11.853 konsumatorë.

Përveç kësaj, si pasojë e djegies së mazutit në ambient lirohej CO2, që ndikonte në ndotjen e ajrit, andaj asokohe “Termokos” konsideroj si një nga ndotësit më të mëdhenjë të qytetit të Prishtinës. 

Donatorët e projektit

I ideuar dekada më parë, realizimi i Projektit të kogjenerimit u paraqit si një domosdo e kohës, pas hulmtimeve e studimeve paraprake, si dhe zotimit të donatorëve ndëkombëtar për investime të pakursyera për realizimin e këtij projekti, të cilat u konkretizuan me marrëveshjet përkatëse në vitin 2011.

Realizimi i Projektit të koogjenerimit u mundësua falë donatorëve ndërkombëtar si dhe institucioneve vendore.

Kostoja totale e realizimit të këtij projekti ka tejkaluar vlerën e 37 milion eurove:  

13,825,000.00 euro nga Komisioni Evropian;

15 milion euro nga Qeveria Gjermane, përmes Bankës Gjermane për Zhvillim (10 milion prej të cilave janë grant, ndërsa 5 milion janë kredi);

Mbi 1.8 milion euro nga Qeveria Suedeze;

Rreth 1.5 milion euro nga Qeveria e Luksemburgut;

3.8 milion nga Komuna e Prishtinës;

1.2 milion nga Qeveria e Kosovës.

Gjatë realizimit të projektit:

Punimet për realizimin e këtij projekti filluan më 26.09.2013.

Realizimi i Projektit të koogjenerimit u mundësua nëpërmes një tubacioni të veçantë, që është ndërlidhur me turbinat e dy blloqeve të Termocentralit “Kosova B”, prej nga nxirret avulli, i cili shfrytëzohet për ngrohjen e ujit, përkatësisht prodhimin e ngrohjes.  

Nga stacioni për nxjerrjen e nxehtësisë në hapësirat e TC Kosova B  tubacioni transmetues i ngrohjes në gjatësi prej 11 km, …

…sjell ujin e ngrohtë në Stacionin për pranimin e nxehtësisë në “Termokos” …

…prej nga më pas ngrohja nëpërmes pompave qarkulluese përcillet në rrjetin e ngrohjes në kryeqytet deri tek konsumatorët tanë.

Në kuadër të këtij projekti u realizua:  

Shtrirja e tubacionit të ngrohjes 11 km nga TC Kosova B deri në “Termokos”;

Ndërtimi i dy nënstacioneve termike:

nënstacioni për nxjerrjen e nxehtësisë në KEK, dhe

nënstacioni për pranimin e nxehtësisë në “”Termokos”;

Rehabilitimi komplet i 50 nënstacioneve të sistemit të ngrohjes;

Zëvendësimi i gypave të vjetër me gypa të rinj të paraizoluar në gjatësi 11.500 m në rrjetin primar në qytet.

Instalimi i monitorimit nga distanca dhe sistemit të kontrollit (SCADA).

Riparimi i pompave qarkulluese dhe sistemit të kontrollit të frekuencës.

Pas realizimit të koogjenerimit- përparësitë dhe rezultatet:

Vetëm një vit pas fillimit të punimeve për realizimin e këtij projekti kapital, NP “Termokos” arriti me sukses, që furnizimin me ngrohje nëpërmes sistemit të koogjenerimit ta fillojë në sezonin ngrohës 2014/2015.

Realizimi i këtij projekti, që kishte për qëllim përmirësimin e sistemit të ngrohjes qendrore për banorët e Prishtinës, rezultoi para së gjithash me rritjen e kapacitetit deri në 140 MW, gjë që kishte përparësi të shumëta, siç janë:

Sigurimi i ngrohjes së mjaftueshme dhe cilësore përgjatë gjithë sezonit ngrohës;

Ulje e shpenzimeve operacionale;

Një ambient më ekologjik për prishtinasit;

Zvogëlimi i dukshëm i konsumit të energjisë elektrike (në zonat ku ndërmarrja ofron ngrohje).

Krijimi i mundësisë për zgjerimin e rrjetit dhe kyçjeve të reja;

Sigurimi i stabilitet financiar për ndërmarrjen;

Hapi rrugë për realizimin e shumë projekteve tjera.

Zhvillimi i ndërmarrjes dhe furnizimi me ngrohje për konsumatorët, mori një dinamikë krejt tjetër, nga 27 nëntori i vitit 2014, kur asokohe afro 12 mijë konsumatorë të ndërmarrjes e shijuan për herë të parë furnizimin me ngrohje cilësore dhe të mjaftueshme nëpërmes sistemit të kogjenerimit. Që nga ajo kohë për të gjithë konsumatorët e ndërmarrjes ofrohet ngrohje e pandërprerë gjatë gjithë sezonit ngrohës.

Si rrjedhojë, rezultatet e ndërmarrjes ishin të panumërta. Për më pak se një dekadë, u rrit dukshëm numri i konsumatorëve nga rreth 12 mijë në mbi 20 mijë konsumatorë.

Rrjeta primare në kryeqytet nga 70 km u zgjerua në 105 km, numri i nënstacioneve nga 325 u rrit në 825.

Realizimi i suksesshëm i Projektit të kogjenerimit u hapi rrugë edhe realizimit të projekteve tjera, siç janë: projekti për zgjerimin dhe rehabilitimin e rrjetit të ngrohjes, Projekti pë instalimin e matësve të ngrohjes, Projekti i solareve, Projekti për dyfishimin e kapaciteteve termike etj.