U prezantua “Master plani për zgjerimin e rrjetit të ngrohjes”

16/05/2025,Prishtinë

NP “Termokos” SH.A. sot në ambientet e Kuvendit Komunal të Prishtinës, mbajti prezantimin publik të “Master planit për zgjerimin e rrjetit të ngrohjes” në kuadër të projektit “Solar 4Kosovo II”.

Kryeshefi Ekzekutiv i NP “Termokos” Sh.A., z. Fisnik Osmani, falenderoi ekipin e ekspertëve për punën e palodhshme në hartimin e këtij master plani. Ai theksoi rëndësinë e këtij projekti për qytetarët dhe u shpreh i kënaqur me interesimin e madh të të pranishmëve. Kryeshefi Osmani rikujtoi se zgjerimi i rrjetit të ngrohjes në 6 lagje të reja me rreth 38 mijë përfitues ishte një nga angazhimet kryesore që, bashkë me kryetarin Rama, ia kishin prezantuar qytetarëve të Prishtinës.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, z.Përparim Rama, vlerësoi progresin e deritanishëm të projektit dhe potencoi rëndësinë e tij për tranzicionin e gjelbër.

“Projekti do të ndihmojë kryesisht në promovimin e cilësisë së tranzicionit të gjelbër duke kontribuar në zbutjen e ndryshimeve klimatike. Termocentrali i ri dhe rrjeti i zgjeruar i ngrohjes qendrore do të zvogëlojnë emetimet e CO2 të lidhura me ngrohjen, do të përmirësojnë cilësinë e ajrit dhe do të integrojnë furnizimin me energji të rinovueshme në sistemin e ngrohjes qendrore të Prishtinës”, tha kryetari Rama. Ai theksoi se ky projekt do t’iu shërbejë qytetarëve të lagjeve, që nuk janë të lidhur me sistemin e ngrohjes qendrore, të cilat aktualisht janë duke shfrytëzuar alternativa tjera ngrohëse shumë më të kushtueshme dhe të dëmshme për mjedisin.

Duke folur për lagjet, në të cilat do të zgjerohet rrjeti i ngrohjes bazuar në këtë masterplan, kryetari Rama tha se lagjet tjera si “Kodra e trimave”, “Kolovica” dhe mbulueshmëria e gjithë Prishtinës të ndarë në 11 zona do të shqyrtohet në planin e veçantë, që do të prezantohet në muajin qershor.

Eksperti ndërkombëtar i kompanisë konsulente “IC-Ces”, z.Felix Eckert prezantoi detaje teknike të master planit. Ai sqaroi se përgjatë procesit të hartimit të këtij masterplani janë trajtuar 17 lagje me 1.926 ndërtesa me potencial të lartë të ndotjes prej 116.216 ton CO2. Përfundimisht, pas kritereve të rangimit dhe faktorëve kryesor janë përzgjedhur 6 lagje me 199 ndërtesa.

Sipas master planit, rrjeti i ngrohjes do të zgjerohet në lagjet: “Lakrishte”, “Tophane”, dy zona të lagjes “Kalabria”, pjesa e qytetit të vjetër të Prishtinës si dhe një pjesë e lagjes “Mahalla e muhaxherëve”.

Në mes tjerash, ai ka prezantuar edhe detaje tjera të projektit “Solar 4Kosovo II” i cili nëpërmes energjisë së pastër diellore prej 44 GWh në vit, me kolektorë diellorë prej 63 mijë m/2 dhe një depozitë sezonale të ngrohjes prej 380 mijë m/3, do të furnizojë me ngrohje rreth 38 mijë konsumatorë të rinjë.

Në pjesën e fundit të këtij prezantimi, pyetjet e tyre i kanë parashtruar shumë qytetarë të pranishëm, të cilit janë shprehur tejet të interesuar dhe mirënjohës për mundësinë, që po ju ofrohet për t’u lidhur me sistemin e ngrohjes.

265 Comments

Leave a Comment