16.04.2026, Prishtinë
U.d. i Kryeshefit Ekzekutiv të NP “Termokos” SH.A., z. Kastriot Bllaca ka pritur sot në një takim përfaqësues të Bashkimit Evropian në Kosovë, të drejtuar nga z.Hubert Perr, udhëheqës për bashkëpunim.
Kryeshefi Bllaca ka shprehur mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme dhe bujare, që ka ofruar Bashkimi Evropian për më shumë se një dekadë për realizimin e projekteve kapitale të ndërmarrjes. Mbështetja e BE-së për projektet e NP “Termokos” ka mundësuar transformimin e sistemit të ngrohjes në një sistem modern, të qëndrueshëm dhe të orientuar drejt energjisë së pastër.
Kjo mbështetje fillimisht u realizua përmes zbatimit të Projektit të kogjenerimit, përdorimi i energjisë së nxjerrë nga TC Kosova B për ngrohjen qendrore, e më pas me projektet tjera për zgjerimin, rehabilitimin dhe modernizimin e sitemit të ngrohjes qendrore, gjë që ka kontribuar në sigurimin e ngrohjes cilësore për rreth 100 mijë konsumatorë si dhe sigurimin e një mjedisi më të pastër për qytetarët e Prishtinës.
Z. Hubert Perr shprehu interes për investimet e financuara nga BE-ja në “Termokos”, veçanërisht për projektete kapitale në zhvillim, përkatësisht projektin “Solar 4Kosovo II” dhe Projektin e dyfishimit të kapaciteteve. Ai u i shpreh i kënaqur me progresin e projekteve dhe ndikimin e tyre pozitiv në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve, të mbështetur nga fondet e BE-së.
Që nga realizimi i Projektit të kogjenerimit e deri më tani, BE-ja ka mbështetur projektet e “Termokos” me mbi 50 milion euro. BE mbetet një nga ofruesit më të mëdhenjë të asistencës financiare për “Termokos”, duke financuar dhe vazhduar të mbështesë realizimin e projekteve kapitale të ndërmarrjes.

