05.06.2026, Prishtinë
NP “Termokos” SH.A. në vazhdimësi e ka trajtuar Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) si konsumator me prioritet të veçantë. Duke pasur parasysh rëndësinë dhe specifikat e këtij institucioni, për nevojat e QKUK-së është krijuar një njësi e veçantë operative, që është në gjendje gatishmërie të vazhdueshme për të adresuar çdo nevojë, që paraqitet në sistemin e ngrohjes.
U.d. i Kryeshefit Ekzekutiv të NP “Termokos” Sh.A., z. Raif Vitija në koordinim të ngushtë me drejtorin e Departamentit të distribuimit, z.Valdrin Krasniqi, ka autorizuar fillimin e punimeve në rrjetin e ngrohjes së kësaj qendre mjekësore.
Në kuadër të aktiviteteve të parapara me Planin aksional veror, Departamenti i distribuimit ka planifikuar realizimin e disa ndërhyrjeve në rrjetin e ngrohjes në afërsi të Klinikës emergjente.
Punimet përfshijnë saldime teknike, ndërrim të gypave dhe zëvendësimin e valvolave, me qëllim të rritjes së sigurisë së sistemit si dhe përgatitjes sa më të mirë për sezonin e ardhshëm ngrohës. Këto ndërhyrje sigurojnë ofrimin e shërbimeve cilësore dhe të pandërprera të ngrohjes për stafin dhe pacientët e QKUK-së.
Aktivitetet e realizuara janë pjesë e angazhimeve të shumta, që NP “Termokos” do të zhvillojë gjatë Planit aksional veror, në kuadër të përgatitjeve për sezonin ngrohës 2026/2027.

