17.04.2026, Prishtinë
Pas pesë opinioneve të kundërta, NP “Termokos” SH.A. ka përmbyllur procesin e auditimit nga Zyra Kombëtare të Auditimit për vitin 2025, me një opinion të kualifikuar për pasqyrat financiare vjetore.
Ndryshimi i këtij opinioni, u.d. i Kryeshefit Ekzekutiv të NP “Termokos” Sh.A., z.Kastriot Bllaca, ka vlerësuar se përfaqëson një hap shumë të rëndësishëm për ndërmarrjen, pasi që reflekton përmirësim të dukshëm në menaxhimin financiar, kontrollin e brendshëm, raportimin financiar dhe adresimin e çështjeve të evidentuara ndër vite. Përmirësimi i opinionit është dëshmi e progresit institucional dhe përkushtimit për të ngritur standardet e transparencës dhe llogaridhënies.
“Ky rezultat është arritur falë angazhimit të vazhdueshëm të stafit në të gjitha nivelet, bashkëpunimit ndërmjet departamenteve, në veçanti Departamentit financiar dhe punës intensive në adresimin e rekomandimeve të auditimit, përmirësimin e proceseve të brendshme dhe ngritjen e cilësisë së raportimit financiar”, ka theksuar Kryeshefi Bllaca.
Kryeshefi Bllaca është zotuar se do të vazhdojë të angazhohet maksimalisht me menaxhmentin e ndërmarrjes dhe do të mbetet plotësisht i përkushtuar, që të vazhdojë punën në implementimin e të gjitha rekomandimeve të mbetura, me qëllim të përmirësimit të mëtejmë të proceseve.