15.10.2026, Prishtinë
NP “Termokos” SH.A., ashtu siç edhe ka paralajmëruar ka filluar gjatë ditës së djeshme të marrë sasitë e para të avullit nga KEK-u për prodhimin e ngrohjes dhe furnizimin me ngrohje në nisje të sezonit ngrohës 2026/2027.
Por, me qëllim të ruajtjes së sigurisë së operimit të pajisjeve dhe funksionimin e qëndrueshëm të sistemit, furnizimi ka filluar me kapacitet të kufizuar, duke u rritur gradualisht. Procesi i marrjes së avullit, prodhimit të energjisë ngrohëse dhe shpërndarjes në rrjetin e kogjenerimit është realizuar me sukses të plotë.
NP “Termokos” do të vazhdojë të angazhohet dhe do të jetë në gjendje gatishmërie të plotë, që edhe këtë sezon ngrohës të ofrojë furnizim të qëndrueshëm dhe cilësor me ngrohje për gjithë konsumatorët.
I gjithë procesi si gjithmonë deri më tani është koordinuar dhe ka rezultuar me sukses, duke iu falenderuar bashkëpunimit të shkëlqyer, që kemi me ndërmarrjet tjera, si: KEK, KEDS dhe KRU “Prishtina”.