03.10.2018, Prishtinë
Kryeshefi Ekzekutiv i NP “Termokos” SH.A, z.Naser Canolli me bashkëpunëtorë ka pritur sot dr. Maria Flachsbarth, sekretaren Parlamentare të Shtetit në Ministrinë për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim të Republikës Federale të Gjermanisë z. Daniel McCormack nga Ministria për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, z. Lars Beckr, znj. Anja Becky, sekretare e parë në Ambasadën gjermane në Kosovë, z. René Eschemann, shef i zyrës së KfW-së në Kosovë e Maqedoni.
Gjatë vizitës së saj të shkurtër në Kosovë sekretarja Flachsbarth ka zgjedhur të vizitojë “Termokos”-in dhe të njoftohet me të arriturat e Projektit të kogjenerimit, si projekti më i suksesshëm i bashkëpunimit në mes Qeverisë së Gjermanisë dhe Qeverisë së Kosovës.
Kryeshefi i NP “Termokos”, z. Naser Canolli e ka njoftuar mysafiren e lartë nga Gjermania me suksesin e madh të shënuar në saje të realizimit të Projektit të kogjenerimit.
Ai ka falënderuar znj. Flachsbarth për faktin që Qeveria Gjermane është donatori më i madh, që ka kontribuar për realizimin e Projektit të kogjenerimit, për hartimin e Master planit për zgjerimin e rrjetit të ngrohjes, si dhe për vazhdimësinë e mbështetjes për realizimin e fazave të mëtutjeshme të këtij projekti, përkatësisht rehabilitimin dhe zgjerimin e rrjetit të ngrohjes.
“Ne jemi duke vazhduar me rehabilitimin e rrjetit të ngrohjes, në mënyrë që t’iu ofrojmë ngrohje sa më cilësore dhe të mjaftueshme mbi 13 mijë konsumatorëve tanë”, theksoi z. Canolli duke rikujtuar se si rezultat i ngrohjes së ofruar gjatë vlerësimit të kënaqshmërisë së konsumatorëve, mbi 90 për qind e të anketuarve janë shprehur shumë të kënaqur me shërbimet e ofruara.
“Më vjen shumë mirë që realizimi i këtij projekti përveç ndikimit ekologjik, ka pasur edhe ndikim ekonomik, gjë që është shumë e rëndësishme dhe parakusht për të siguruar qëndrueshmërinë e një projekti”, ka thënë nga ana tjetër Dr. Maria Flachsbarth, sekretare Parlamentare e Shtetit në Ministrinë për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim të Republikës Federale të Gjermanisë.
Pasi është informuar për sukseset pas realizimit të Projektit të kogjenerimit, ajo është ndarë shumë e kënaqur me gjithë informatat, që ka marrë për këtë projekt, që me të drejtë cilësohet si më i suksesshmi deri më tani.
Vizita e delegacionit gjerman ka vazhduar në kopshtin e fëmijëve “Lulelvere”, i cili është vetëm një nga mbi 13 mijë konsumatorët e “Termokos”-it, që furnizohet me ngrohje shumë cilësore dhe të mjaftueshme përgjatë gjithë sezonit ngrohës.