Informacione kontakti

Orari i zyreve

Në fillim të sezonit ngrohës, Kryetari Rama ofron mbështetjen e plotë për “Termokos”

19.10.2023, Prishtinë

Kryetari i Komunës së Prishtinës, z. Përparim Rama, me nënkryetarin, z. Alban Zogaj dhe kabinetin e tij kanë vizituar NP “Termokos”, ku u pritën nga Aksionarët e ndërmarrjes, Bordi i Drejtorëve dhe Kryeshefi Ekzekutiv, z. Fisnik Osmani.

Kryetari Rama u njoftua detajisht për ecurinë e fillim sezonit ngrohës 2023/2024, që këtë vit ka nisur nga 15 tetori. Ai u interesua edhe për mbarëvajtjen e proceseve dhe projekteve, që janë duke u zhvilluar në ndërmarrje.

“Po hyjmë në një sezonë shumë sfiduese, që prej ekzistimit të ndërmarrjes për shkak se kemi pasur një zgjerim masiv të rrjetit të ngrohjes në periudhën e fundit. Jemi të vetëdijshëm se mund të ketë objekte e pjesë të caktuara të lagjeve, që ende nuk kanë ngrohje të mjaftueshme, por ekipet tona janë në terren dhe ne po përkujdesemi, që deri në fund të javës të rregullohet”, tha Kryeshefi Osmani duke kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve.

Kryetari Rama duke ofruar mbështetjen e tij të plotë, ka përgëzuar Kryeshefin Osmani për punën e madhe, që është bërë për kyçjen në rrjetin e ngrohjes për rreth 40 mijë qytetarë si dhe për projektet, që janë në proces realizimi siç është edhe projekti “”Solar 4 Kosovo”.

“Ideja jonë është, që ta zgjerojmë sa më shumë që mundemi rrjetin e ngrohjes në kryeqytet. Kjo ndërlidhet ndër të tjera edhe me përmirësimin e cilësisë së ajrit, të cilin e ndajmë së bashku. Për këtë arsye investimet tona janë për zgjerimin e rrjetit të ngrohjes bashkarisht me fondet ndërkombëtare për të na mundësuar zgjerimin edhe në pjesët tjera të kryeqytetit, të cilat për momentin nuk trajtohen. E kemi edhe ‘Kodrën e trimave’ ku jemi duke e bërë edhe planin e rigjenerimit të gjithë kësaj zone, të cilën po planifikojmë ta funksionalizojmë në aspektin e ngrohjes”, tha kryetari Rama duke përmendur edhe “Kolovicën” e “Hajvalinë” si lagje, që nuk janë trajtuar deri më tani dhe për të cilat bashkë me gjithë kryeqytetin planifikohet të bëhet një analizë teknike e detajuar.

Në mes tjerash Kryetari Rama dhe Kryeshefi Osmani u kanë bërë thirrje konsumatorëve, në banesat e të cilëve tanimë janë instaluar pajisjet për matje të shpenzimeve të ngrohjes, që të fillojnë kursimin e energjisë termike gjatë kësaj faze testuese, që është shumë e rëndësishme dhe do t’i paraprijë fillimit të faturimit sipas konsumit.

Leave a Comment