Informacione kontakti

Orari i zyreve

Nënshkruhen tri marrëveshje për projektin ‘’Solar4 Kosovo’’

11.12.2023, Prishtinë

Kryeshefi Ekzekutiv i NP ‘’Termokos’’SH.A., z. Fisnik Osmani me z.Hekuran Murati, ministër i Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve të Republikës së Kosovës, kanë nënshkruar sot 3 marrëveshje për realizimin e projektit të ngrohtores diellore ‘’Solar4Kosovo’’.

Nënshkrimin e këtyre marrëveshje, Kryeshefi Osmani i ka cilësuar si një hap shumë të rëndësishëm për fillimin e realizimit të projektit më të madh të energjisë termike në Kosovë. Ai theksoi se nëpërmes këtij projekti, do të mbulohet me panele solare një hapësirë prej 69 mijë metrash katrorë, me kapacitet termik 50 MW, që do të furnizojë me ngrohje 12 mijë konsumatorë me mbi 38 mijë banorë.

‘’Përmes këtij projekti ne po rrisim sigurinë energjetike dhe qëndrueshmërinë për Prishtinën duke ndikuar direkt në performancën financiare dhe operacionale të ngrohtores e përmes kësaj lehtësimin e jetës së qytetarëve, duke siguruar ngrohje të qëndrueshme dhe të përballueshme’’, tha Kryeshefi Osmani.

Duke rikujtuar se ‘’Termokos’’ po kalon një fazë shumë të rëndësishme të zhvillimit të saj, ai tha se nga 19 mijë konsumatorë sa kishim një vit më parë, tani kemi 30 mijë konsumatorë, ndërkohë që janë inkasuar 7.9 milion euro apo 21% më tepër se sa një vit më parë, sipërfaqja ngrohëse nga 1.6 milion m/2 sa ishte vitin e kaluar ka arritur në 2.45 milion m/2. I vetëdijshëm për rëndësinë e këtij projekti, Kryeshefi Osmani ka siguruar të gjithë partnerët implementues për një bashkëpunim të ngushtë në realizimin e tij.

Pasi ka shprehur kënaqësinë e tij për nënshkrimin e këtyre marrvëveshjeve ministri Hekuran Murati saktësoi se është rritur pjesa e grantit nga Qeveria gjermane në 31.6, është siguruar grant shtesë prej 21.5 milion eurosh nga Bashkimi Evropian apo WBIF, ndërsa pjesë tjetër prej 23.2 milion euro ka qenë kredi nga BERZH-I, që është ratifikuar së fundmi.

‘’Ky projekt ka një rëndësi të veçantë, pasi që përveç që e rritë prodhimin e energjisë termike mundëson edhe rreth 38 mijë qytetarë të kyçen në rrjetin e Termokosit, dhe zgjerimin e rrjetit’’, tha ai në mes tjerash.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, z. Përparim Rama duke e vlerësuar nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve si një moment historik, tha se ky është një investim në mirëqenien e qytetarëve. ‘’Po nënshkruhet zotimi ynë, që banorëve të Prishtinës do t’iu mundësojmë zgjidhje të besueshme, të përballueshme e të qëndrueshme për ngrohjen e ambienteve të banimit dhe të punës’’, theksoi kryetari Rama.

Ambasadori gjerman në Kosovë, z.Joern Rohde duke folur për progresin, që është arritur për tejkalimin e sfidave për realizimin e këtij projekti, tha se projekti mundëson rritjen e kapacitetit për podhimin e energjisë, që do t’iu mundësojë një numri të caktuar të njerëzve kyçjen në rrjet, që do të ndikojë në zvogëlimin e konsumit të energjisë elektrike dhe në uljen e varësisë së energjisë nga qymyri.

Për projektin më të madh të energjisë solare në Ballkan dhe një ndër më të mëdhenjtë në Evropë, ambasadori Rohde ka kërkuar bashkëpunimin e të gjithë partnerëve, optimist se pas 2-3 vitesh do të shihen rezultatet e realizimit të tij.

Z.Sergiy Maslichenko, drejtor i BERZH-it, tha se me projektin ‘’Solar4Kosovo’’ përveç, përfitimeve në agjendën e gjelbër do të ketë edhe përfitime tjera për qytetarët e Prishtinës, siç është ndikimi në uljen e ndotjes së ajrit. Për faktin se konsiderohet një projekt i vështirë për t’u zbatuar, ai kërkoi bashkëpunimin e gjithë partnerëve për realizimin e tij.

Z. Johannes Madsen Steanbaek, shef i seksionit për bashkëpunim në Zyrën e BE-së në Kosovë, u shpreh i ngazëllyer, që po merrte pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të kësaj marrëveshje. ‘’Ky projekt shënon projektin e parë për dekarbonizimin për t’u shmangur nga ngrohja që bazohet vetëm në qymyr’’, tha ai duke vënë theksin në kontributin, që ka dhënë  BE për të bërë ndryshimin e sektorit të energjisë në Kosovë nga qymyri në energji të pastër.

Leave a Comment