PROJEKTI “SOLAR 4 KOSOVO”

Projekti “Solar 4 Kosovo” është një nga projektet më të mëdha në fushën e energjisë në Kosovë. Ky do të jetë një nga impianetet më të mëdha diellore në Evropë dhe i pari në rajon nga kapaciteti, i cili do të shfrytëzojë energjinë e pastër diellore për përfitimin e energjisë ngrohëse.

Nëpërmes vendosjes së paneleve solare në një hapësirë prej 69 mijë metrave katrorë do të bëhet integrimi i dy sistemeve: të energjisë solare me atë të kogjenerimit, gjë që do të mundësojë një kapacitet shtesë termik për 50 MW për të furnizuar me ngrohje edhe 12 mijë konsumatorë të rinjë të NP “Termokos”. Realizimi i këtij projekti do të mundësojë zgjerimin e rrjetit të ngrohjes edhe për një pjesë të objekteve banesore të lagjes “Arbëria” dhe “Tophane”.

Në kuadër të projektit “Solar 4 Kosovo”, në afërsi të impiantit solar planifikohet ndërtimi i një rezervuari të energjisë ngrohëse me një kapacitet prej 400 mijë metra kub.

Përveç, që do të sigurojë ngrohje cilësore për 12 mijë konsumatorë të rinjë, ky projekt do të ketë ndikim edhe në uljen e ndotjes së ajrit për kryeqytetasit, pasi që në zonat e operimit do të evitojë nevojën e përdorimit të alternativave tjera ngrohëse

“Solar 4 Kosovo” vlerësohet si një nga investimet më të mëdha në Prishtinë në kuadër të nismës për qytete të gjelbërta nga BERZH.

Projekti “Solar 4 Kosovo” do të financohet nga Qeveria Gjermane nëpërmes Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW) në vlerë të 53.1 milion eurove, prej të cilave 21.5 milion grant dhe 31.6 milion kredi, BERZH me 23.2 milion euro kredi dhe  4.4 milion euro nga “Termokos”.