26.04.2017, Prishtinë Në funksion të intensifikimit të bashkëpunimit me institucionet vendore, Kryeshefi Ekzekutiv i NP “Termokos” SH.A, z. Naser Canolli ka nënshkruar sot një marrëveshje bashkëpunimi me rektorin e Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, prof.dr. Agron Bajraktarin. Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje bashkëpunimi ka për qëllim, që t’iu mundësojë studentëve të Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, realizimin e mësimit praktik për arritje më të mëdha dhe avancim të diturisë, duke vëzhguar në mënyrë të drejtpërdrejtë procesin e prodhimit dhe distribuimit të energjisë ngrohëse në “Termokos”. Kryeshefi Ekzekutiv i NP “Termokos”, z. Naser Canolli ka shprehur kënaqësinë e tij, që kompania që ai drejton ka arritur, që jo vetëm të ofrojë ngrohje të mjaftueshme dhe cilësore për konsumatorët e vet, por tashmë të bëhet edhe pikë referuese, ku kuadrot e reja do të kenë mundësinë e një përgatitje sa më të mirë profesionale. Ndërkaq, rektori i Universitetit të Shkencave të Aplikuara, prof.dr.Agron Bajraktari, duke e vlerësuar lartë marrëveshjen e arritur, ka falënderuar Canollin, që ka shprehur gatishmërinë për këtë bashkëpunim ndërinstitucional.