29.03.2018, Prishtinë Kryeshefi Ekzekutiv i NP “Termokos” Sh.A, Naser Canolli me bashkëpunëtorë ka pritur sot në një takim përfaqësuesit e Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW), përkatësisht shefin e Divizionit për energji dhe transport për Evropën Juglindore dhe Turqi, Jurgen Kern, menaxherin përgjegjës për projektet e KfW-së në sektorin e energjisë në Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinë, Nico Schuetzhofer si dhe zëvendësdrejtoreshën e KfW-së për Kosovë, Ganimete Huruglica. Ky takim, që ka rikonfirmuar vazhdimin e mbështetjes së Qeverisë Gjermane nëpërmes KfW-së për realizimin e projekteve të “Termokos”-it, i ka paraprirë aktit të nënshkrimit të marrëveshjes financiare në mes Qeverisë Gjermane dhe Qeverisë së Kosovës për një grant mbështetës prej 10 milion eurosh për zgjerimin dhe rehabilitimin e rrjetit të ngrohjes së “Termokos”-it. Kryeshefi Naser Canolli duke e vlerësuar lartë bashkëpunimin e deritanishëm me Qeverinë Gjermane, përkatësisht KfW-në, i ka falënderuar për kontributin dhe angazhimin e pakursyer për realizimin e fazës së parë dhe të dytë të Projektit të kogjenerimit. Ai ka njoftuar delegacionin nga KfW-ja me të arriturat e “Termokos”-it, vijimin e suksesshëm të sezonit ngrohës 2017/2018, sukseset e shënuara deri më tani si dhe projektet, që janë në proces për modernizimin e shërbimeve të ngrohjes. Ndërkaq, shefi i Divizionit për energji dhe transport për Evropën Juglindore dhe Turqi, Jurgen Kern ka shprehur kënaqësinë e tij, që sot me Qeverinë e Republikës së Kosovës do të nënshkruajnë marrëveshjen financiare për grantin prej 10 milion eurosh, për të mbështetur zgjerimin dhe rehabilitimin e rrjetit të ngrohjes së “Termokos”-it. Duke u mbështetur në suksesin e bashkëpunimit të deritanishëm, që ka pasur me stafin e “Termokos”-it, Kern është shprehur optimist se realizimi i kësaj faze të Projektit të kogjenerimit do të jetë shumë më i lehtë dhe më i suksesshëm.