29.09.2020, Prishtinë
Kryeshefi Ekzekutiv i NP “Termokos” SH.A, Arsim Fetahu ka nënshkruar sot me Petrit Selimin, drejtor ekzekutiv i Fondacionit të Mileniumit të Kosovës (MFK), memorandumin e bashkëpunimit për projektin e vendosjes e njehsorëve digjital për faturimin e energjisë termike.
Kryeshefi Arsim Fetahu u shpreh i kënaqur për nënshkrimin e kësaj marrëveshje, që siguron një faturim korrekt të konsumatorëve tanë, mundëson kursimin e energjisë termike si dhe krijon mundësitë e reja për zgjerimin e rrjetit të ngrohjes.
“Ky projekt padyshim, që ka rëndësi jetike për konsumatorët tanë. Ajo që ka rëndësi pasi që qytetarët tanë kanë siguruar ngrohje të mjaftueshme dhe cilësore do të kenë edhe faturim të drejtë. Me vetëdijësimin e konsumatorëve për kursimin e energjisë do të mundësohet zgjerimi i rrjetit tek shumë konsumatorë, që aktualisht nuk janë të kyçur në rrjet ”, ka thënë Fetahu duke falënderuar donatorët, që po mundësojnë realizimin e këtij projekti.
Ndërkaq, Sarah Olmstead, drejtoreshë e MCC për Kosovë tha se është krenare, që sot është dëshmitare e nënshkrimit të kësaj marrëveshje, që konfirmon partneritetin e ngushtë në mes MCC, MFK, “Termokos” dhe Komunës së Prishtinës.
“Ky aktivitet do të ndihmojë familjet e kyçura në rrjetin e ngrohjes qendrore, që të marrin nën kontroll komoditetin e tyre si dhe shpenzimet e tyre financiare për ngrohje”, ka thënë në mes tjerash Olmstead.
Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Selim Pacolli e ka vlerësuar si shumë të rëndësishëm nënshkrimin e kësaj marrëveshje. “Është një lajm i mirë, që ka ndikim direkt në ekonominë e qytetarëve tanë, përkatësisht në xhepin e qytetarëve tanë nëpërmes instalimit të njësorëve digjital, që mundëson më korrekt dhe më të lehtë”, tha Pacolli.
Nga ana tjetër, Petrit Selimi, drejtor ekzekutiv i MFK- së, tha se do të investohen 10 milion dollarë për një mënyrë komplet të re të faturimit në “Termokos”. Ai tha se deri më tani në mungesë të pajisjeve adekuate konsumatorët e kanë pasur të pamundur që të kontrollojnë shpenzimin e energjisë ngrohëse, sidomos në rastet kur nuk kanë qenë në banesat e tyre dhe si rrjedhojë në shumë raste kanë shpenzuar më shumë se që kanë pasur nevojë. “Tash me njehsorët e rinj do të paguajnë vetëm aq sa shpenzojnë. Po fillon një fazë e re, ku “Termokos” do të bëhet një kompani super moderne sa i përket faturimit, njehsorëve, menaxhimit intern”, tha ai.
Kjo marrëveshje vjen si rezultat i një bashkëpunimi të gjatë në mes “Termokos” dhe MFK, si rrjedhojë e një granti prej 10 milion dollarësh, që ka ndarë nga Qeveria amerikane, përkatësisht Millenium Challenge Corporation (MCC) për të financuar projektin për vendosjen e njehsorëve tek trupat ngrohës të konsumatorëve të NP “Temokos”.