04.10.2021, Prishtinë
Pas përgatitjeve, që janë zhvilluar për një fillim sa më të mbarë të sezonit të ri ngrohës 2021/2022, sot ka filluar mbushja e rrjetit primar të ngrohjes me ujë.
Kryeshefi Ekzekutiv i NP “Termokos” SH.A., Arsim Fetahu i ka uruar gjithë stafit punë të mbarë dhe një sezonë sa më të suksesshme.
Këtë herë, startimin e mbushjes së rrjetit me ujë e ka nisur Shemsi Gashi, njëri nga punëtorët më të vjetër të ndërmarrjes, i cili ka qenë pjesë e pandashme e rrugëtimit të ndërmarrjes për më shumë se 38 vite.
Ai u shpreh shumë mirënjohës për nderin, që i është bërë për të nisur mbushjen e sistemit me ujë, në sezonin e fundit para pensionimit.
Fillimi i mbushjes së rrjetit primar të ngrohjes i paraprin nisjes së sezonit të ri ngrohës 2021/2022, që ligjërisht dhe në varësi të kushteve klimatike pritet të të nisë më 15 tetor.