- 25 Mars, 2022
- Posted by: Aferdita Uka
- Categories: Lajme, Solar 4 Kosovo

25.03.2022, Prishtinë
Në përpjekje të vazhdueshme për modernizimin e shërbimeve të veta si dhe krijimin e mundësive, që nga shërbimet e ngrohjes të përfitojnë sa më shumë qytetarë të Prishtinës, NP “Termokos” SH.A. ka marrë mbështetje nga Qeveria e Republikës së Kosovës, e cila në mbledhjen e fundit ka marrë vendim që të ndajë një parcelë prej 25 hektarësh në fshatin Shkabaj për realizimin e projektit “Solar 4 Kosovo”. Ky vendim i hap rrugë realizimit të projektit nga më të mëdhenjtë në fushën e energjisë solare në Evropë.
Realizimi i këtij projekti do të mundësohet falë përkrahjes së pakursyer të donatorëve ndërkombëtar, e në veçanti të Qeverisë Gjermane si një nga donatorët më të mëdhenjë të projekteve të NP “Termokos” SH.A. si dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Ndërkaq, me mbështetjen, që kanë dhënë Qeveria e Kosovës, Komuna e Prishtinës dhe Komuna e Obiliqit krijohet një nga parakushtet kryesore për realizimin e këtij projekti.
Ky projekt madhor do të ketë mundësinë e integrimit të dy sistemeve: energjisë solare me atë të kogjenerimit. Nëpërmes vendosjes së paneleve solare prej 69 mijë metrave katrorë do të rriten kapacitetet për 65 GWH/a e NP “Termokos” për të furnizuar me energji ngrohëse edhe 12 mijë konsumatorë të rinjë. Një nga përparësitë e këtij projekti është sigurimi i energjisë së pastër, gjë që do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë edhe në eliminimin e ndotjes së ajrit për kryeqytetasit, pasi që rriten kapacitetet e ndërmarrjes për zgjerimin e rrjetit të ngrohjes.
Në kuadër të projektit “Solar 4 Kosovo” planifikohet ndërtimi edhe i një rezervuari të energjisë ngrohëse me një kapacitet prej 400 mijë metra kub.
Fondet për realizimin e projektit “Solar 4 Kosovo”, në vlerë të 64 milion eurove janë siguruar nga donatorët ndërkombëtar, 26 milion prej të cilave grant nga Qeveria Gjermane, ndërsa pjesa tjetër do të jenë bashkëfinancim në mes Qeverisë Gjermane dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).