Kryetari Rama dhe Kryeshefi Osmani vizituan ekipet në vendpunimin e lagjes “Arbëria”

29.12.2022, Prishtinë

Kryetari i Prishtinës, z. Përparim Rama me Kryeshefin Ekzekutiv të NP “Termokos” SH.A., z. Fisnik Osmani vizituan ekipet, që janë duke punuar në lagjen “Arbëria” për shtrirjen e rrjetit të ngrohjes.

Kryetari Rama është njoftuar nga Kryeshefi Osmani për ecurinë e punimeve, të cilat janë zhvilluar me një dinamikë të shpejtë dhe pa kurrfarë problemesh deri më tani. I inkurajuar nga rrjedha e realizimit të kësaj pjese të projektit, Kryeshefi Osmani ka sqaruar se gjithë punët për shtrirjen e rrjetit të ngrohjes, kompletimin e nënstacioneve të ngrohjes dhe finalizimin e këtij projekti pritet të kryhen brenda disa muajsh, në mënyrë, që për këtë pjesë të lagjes “Arbëria” furnizimi me ngrohje të fillojë nga sezoni i ardhshëm ngrohës.

Kryetari Rama është shprehur i kënaqur me progresin e punimeve në këtë lagje dhe me mundësinë e krijuar për të kyçur në rrjetin e ngrohjes mijëra qytetarë të Prishtinës. Ai ka përgëzuar Kryeshefin Osmani për këtë progres dhe secilin, që është angazhuar për mbarëvajtjen e punëve.

Në kuadër të Projektit për zgjerimin dhe rehabilitimin e rrjetit të ngrohjes, i cili është duke u realizuar me fondet e ndara nga Qeveria Gjermane dhe Qeveria e Luksemburgut nëpërmes Bankës Gjermane pë Zhvillim (KfW) dhe bashkëfinancim nga “Termokos”, deri më tani janë realizuar pjesa më e madhe e punëve për shtrirjen e rrjetit të ngrohjes në një pjesë të lagjes “Arbëria”, përkatësisht janë hapur rreth 1.900 metra trase për shtrirjen e rrjetit të ngrohjes.

Si rezultat i këtij projekti në rrjetin e ngrohjes do të kyçen mbi 2 mijë konsumatorë në 40 objekte banesore të kësaj lagjeje me rreth 250 mijë m/2 sipërfaqe ngrohëse.