Kryeshefi Fetahu monitoroi punimet tek “Mati 1”

 

09.07.2021, Prishtinë

Kryeshefi Ekzekutiv i NP “Termokos” Sh.A, Arsim Fetahu ka monitoruar sot punimet, që janë duke u zhvilluar në lagjen “Mati 1”, përkatësisht në rrugën “Muharrem Fejza”, në kuadër të projektit për zgjerimin dhe rehabilitimin e rrjetit të ngrohjes.

Kryeshefi Fetahu u interesua për dinamikën e punimeve dhe për vështirësitë, të cilat janë hasur nga kompania punëkryese gjatë ekzekutimit të punimeve në teren.

Përkundër faktit, se aksi rrugor tek “Muharrem Fejza”, ku janë duke u zhvilluar punimet për shtrirjen e gypave të ngrohjes, është një pozicion shumë i papërshtatshëm dhe i komplikuar për shkak të infrastrukturës nëntokësore të kompanive të ndryshme, që po e vështirësojnë dukshëm zhvillimin e këtyre punimeve, deri më tani punimet kanë ecur sipas planit dinamik.

Ai u njoftua nga përgjegjësit e kompanisë punëkryese dhe asaj konsulente, se nëse punimet do të vazhdojnë me dinamikën e deritanishme dhe pa probleme, shtrirja e gypave përgjatë rrugës “Muharrem Fejza”do të përfundojë gjatë muajve të verës.

Punimet, që po zhvillohen në lagjen “Mati 1” janë pjesë e projektit për zgjerimin dhe rehabilitimin e rrjetit të ngrohjes, i cili është duke u realizuar me fondet e ndara nga Qeveria Gjermane nëpërmes Bankës Gjermane pë Zhvillim (KfW) 10 milion euro, nga Qeveria e Luksemburgut 2.5 milion euro, ndërsa nga Komuna e Prishtinës dhe “Termokos” 1.7 milion euro. Në kuadër të këtij projekti për herë të parë në rrjetin e ngrohjes do të kyçen rreth 50 objekte banesore të kësaj lagjeje si dhe shumë të tjera nëpër lagje tjera të kryeqytetit.