Instalohet matësi i parë i energjisë ngrohëse

 

22.05.2022, Prishtinë

Familja e Nadire Klaiqit nga Prishtina është përfituesja e parë e matësit të mençur të energjisë ngrohëse, i cili është vendosur sot në radiatorin e banesës së tyre në lagjen “Bregu i diellit”. Ky do të jetë vetëm matësi i parë, që do t’i paraprijë vendosjes së rreth 75.000 matësve tek konsumatorët tanë në kuadër të projektit “Prishtina Heat Save”.

Në një ceremoni rasti të organizuar me rastin e fillimit të fazës së instalimit të matësve dhe valvolave termorregulluese, ka marrë pjesë zëvendëspresidentja e Departamentit të Politikave dhe Evaluimit në Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), Alicia Phillips Mandaville.  

Ajo shprehu kënaqësinë e saj, që MCC nëpërmes “Prishtina Heat Save” po ndryshon mënyrën e shfytëzimit të energjisë për qytetarët e Prishtinës. “Faturimi i bazuar në konsum ju mundëson konsumatorëve të kenë më shumë kontroll mbi shfrytëzimin e energjisë dhe të kenë kontroll më të mirë mbi faturën e tyre të ngrohjes”, theksoi Mandaville.

Edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama u fokusua tek përfitimet e shumta të qytetarëve të Prishtinës nga ky projekt. “Tani qytetarët nuk do të kenë më nevojë t’i hapin dritaret për shkak të ngrohjes së tepërt, por do t’i mbyllin radiatorët, duke kursyer njëkohësisht energjinë termike dhe xhepin e vet”, theksoi kryetari Rama.

Ndërkaq, Kryeshefi Ekzekutiv i NP “Termokos” SH.A., Arsim Fetahu ka rikujtuar se ky projekt është shumë dimensional. “Ky projek është tejet i dobishëm si për qytetarët, ashtu edhe për ne. Ata do të kenë mundësi, që nëpërmes kursimit të energjinsë, të kursjenë edhe buxhetin e tyre familjar, ndërsa ne do të zgjerojmë rrjetin e ngrohjes edhe në lagjet tjera të Prishtinës”, tha Kryshefi Fetahu.

Nga ana tjetër, Drejtori Ekzekutiv i MFK-së, Petrit Selimi tha se: “Qëllimi kryesor është që ‘Termokos’-i të bëhet një kompani moderne me sistem modern të matjes dhe faturimit, por edhe të mbështesë mijëra klientë, në mënyrë që ata të kontrollojnë konsumin dhe shpenzimet e tyre”.

Me qëllim të informimit të qytetarëve me projektin “Prishtina Heat Save” dhe mënyrën e funksionimit të pajisjeve, që do të montohen në trupat ngrohës të konsumatorëve tanë, gjatë ditës së sotme është vendosur një shtand informues në qendër të qytetit.

Realizimi i projektit “Prishtina Heat Save” është financuar me 11 milion dollarë nga Qeveria amerikane, nëpërmes MCC-së. Ky projekt do të mundësojë modernizimin e shërbimeve të NP “Termokos”, përkatësisht ndryshimin e mënyrës së  faturimit, nga ajo sipas sipërfaqes ngrohëse në faturimin sipas konsumit. Kjo metodë, para së gjithash, do të jetë shumë më e levërdisshme për vetë konsumatorët, ngase ata do të pajisen me matës të mençur të energjisë termike dhe valvola termorregulluese, gjë që do t’iu mundësojë atyre, që nëpërmes kursimit të energjisë termike të kursejnë edhe buxhetin e tyre familjar. Ndërkaq, NP “Termokos” me energjinë e kursyer nga konsumatorët do të ketë mundësinë, që të zgjerojë rrjetin e ngrohjes tek lagje tjera të kryeqytetit.